Vëlla, vëlla, por plazhi i nda! 36-vjeçari plumba 45-vjeçarit në sy të pushuesve në Radhimë
Erdhi me nxitim nga Anglia për të ndarë shezlonet e plazhit me të vëllain, por tashmë do të ndajë ditët burgut me të tjerë persona. Është kjo ngjarja që prodhoi plazhi i Radhimës këtë të hënë, ku sherri mes dy vëllezërve kulmoi në përdorimin e armëve të zjarrit. Fatmirësisht nuk pati të lënduar, por pushuesit që u gjenden aty tregojnë se kaluan minuta paniku dhe më pas u larguan.
Për një copë tokë buzë detit edhe gjaku po bëhet ujë. Debati për menaxhimin e këtij plazhi privat në Radhimë të Vlorës, vuri përballë dy vëllezër pronarë.
Eduard Kondi, 34-vjeç qëlloi me armë Beniaminin, 45-vjeç, që vetëm një ditë më parë kishte mbërritur nga Anglia ku jeton.
Burimet thonë se konflikti mund të jetë i mbartur, por sot përshkallëzoi. Beniamin Kondi ka shkuar në plazhin, i cili administrohej nga vëllai i vogël.
Ky i fundit e priti me plumba.
Sipas dëshmitarëve, disa herë në ajër e të tjera drejt vëllait që shpëtoi.
"Pa frikë 5-6 herë qëlloi."
"Jemi të frikësuar."
Me fat ishin edhe pushuesit, që aty ku kërkonin qetësinë e plazhit, u gjenden mes konfliktit me plumba të vëllezërve.
"Dëgjova 5 apo 6 të shtëna.Njerëzit që largoheshin të frikësuar nga lokali. Jam për herë të parë për pushime në Shqipëri."
Treguan se përjetuan minuta paniku.
"Kisha vajzën bashkë me djalin dhe ikëm me vrap. Të tjerët u fshehën këtu."
"Ku mund të rri më këtu. Do ti them burrit hajde se do të iki në shtëpi."
Pas sherrit me armë, dy vellëzërit u larguan nga plazhi që i ndau.
Eduart Kondi që përdori armën u arrestua disa orë më pas në një apartament në zonën e Lungomares.
Të shtënat në plazh rikthyen kujtime të trishta të viteve të fundit të konflikteve për pronat apo shelzongët në bregdet.
Katër persona u vranë dhe dy të tjerë mbetën të plagosur në atë që tashmë është pagëzuar si "Masakra e Velipojës" qershorin e kaluar.




