Si e blenë kompaninë e parë të moshuarit, zbulohen dokumentet dhe lëvizjet e parave, 86-vjeçarja e mbylli

Një nga kompanitë e denoncuara për evazion me incineratorët dhe të blera nga të moshuarit Thanas Çani dhe Haxhire Gurakuqi është mbyllur dhe hapur disa herë. Madje rezulton se fillimisht ka qenë 79-vjeçari që është bërë pronar i 50 përqind të kompanisë "Sopotania" e në fund të gjitha aksionet i kanë kaluar 86-vjeçares, e cila brenda një muaji e ka kaluar subjektin në status të pezulluar dhe me humbje 21 milion lekë.

Një nga kompanitë e përmendura nga Monika Kryemadhi në aferën e incineratorëve është dhe "Sopotania".

E krijuar në vitin 2014 në Fushë Krujë duket se ka pasur të ardhura dhe fitim të ulët me rreth 253 mijë lekë.

Në vitin 2016 në dokumentet e QKB ky subjekt ka zgjeruar aktivitetin ndërsa një vit më pas ndryshon emrin nga "XH.Y" në "Sopotania", po ashtu kompania është blerë nga Klevis Murati, duke u larguar Kreshnik Ymeraj.

Po ashtu subjekti rezulton të kishte qenë në statusin i pezulluar duke u rikthyer në aktivitet në mars të vitit 2017.

Në këtë vit duket se fitimi i deklaruar shkon në rreth 5 milionë lekë.

Megjithatë më tej kompania kërkon pezullimin e aktivitetit dhe pas një muaji rihapet sërisht, por ortak shtohet i linduri në vitin 1939 Thanas Çani, pikërisht ne 16 mars 2018.

Në dokument paraqitet edhe firma e të moshuarit që bëhet aksionar dhe pronar i gjysmës së kompanisë në moshën 79-vjeçare me një vlerë kapitali 50 mijë lekë.

Veprimtaria e tij zgjat vetëm 11 muaj, pasi kompania blihet në mënyrë të plotë nga Haxhire Gurakuqi, e datëlindjes 12 dhjetor 1933.

Pikërisht në moshën 86-vjeçare me vlerën e 100 mijë lekëve ka blerë kompaninë tashmë të shumëpërfolur për lëvizjet fiktive me incineratorët, dhe vetëm një muaj me pas me kërkesën e saj, "Sopotania" kalon me statusin pezulluar dhe me një bilanc me humbje prej 21 milionë lekësh.

Megjithatë ende nuk dihet nëse prokuroria do të verifikojë dokumentet e regjistruara në zyrat e shtetit apo do të marrë në mbrojtje të moshuarit e kthyer në qendër të vëmendjes për evazionin fiskal.