Qeveria hesht për masakrën në Erzen, Ministria e Mjedisit refuzon të mbajë përgjegjësi për gjendjen katastrofike të lumit

Teksa nuk ndalen raportimet për katastrofën mjedisore në lumin Erzen ku peshqit kanë ngordhur për shkak të ndotjes së lartë, pretenduar të shkaktuar nga landfilli i Sharrës, Ministria e Mjedisit refuzon të ketë informacion për këtë problematikë. Teksa ai ujë nuk mund të përdoret as për vaditje, Ministrisë i duhet një ankesë zyrtare nga qytetarët për t’u vënë në lëvizje.

Pas situatës së raportuar për ndotjen e lumit Erzen në zonën e Ndroqit kemi ardhur në Ministrinë e Mjedisit për të marrë informacion lidhur me këtë problematikë.

Përgjigja është se deri më tani nuk ka ardhur asnjë ankesë zyrtare ku të jetë raportuar ky problem, ndërkohë autoritetet nuk kanë marrë asnjë masë për zgjidhjen e këtij problemi.

Ora News, e cila ka ndjekur prej ditësh këtë situatë dhe ka komunikuar në vazhdimësi me banorët, ishte këtë të martë në Ministrinë e Mjedisit, e cila refuzoi dhënien e çdo informacioni në lidhje me situatën katastrofike në lumin Erzen.

Madje problemi shkon më tej.

Ky institucion pretendon se nuk është në dijeni të problemit edhe pse prej ditësh banorët kane ngritur shqetësimin në media.

Ministria thotë se vihet në lëvizje vetëm me shkresë apo ankesë zyrtare të banorëve, por realiteti është krejt tjetër ankesat e qytetarëve lidhur me këtë situatë kanë qenë të vazhdueshme.

Teksa në lumë po ndodh katastrofa, shto këtu edhe faktin se banorët kanë mbetur pa ujë vaditës, Ministria e Mjedisit i citoi gazetares të drejtën e informimit, duke shmangur çdo përgjegjësi për marrjen e masave.