Turizëm pa rrugë e drita, në Kroin e Bardhë në Mirditë s’ka infrastrukturë dhe investime
Zonat malore në Shqipëri, përfshirë edhe ato turistike janë lënë në harresë të institucioneve. Kroi i Bardhë në Mirditë, është një destinacion që po tërheq çdo ditë e më shumë vizitorë, por atje mungon si rruga edhe energjia elektrike.
Sezoni turistik është hapur që prej muajit maj dhe numri i vizitoreve është gjithnjë në rritje, por edhe këtë vit turizmi malor në Kroin e Bardhe në Mirditë po përballet me probleme, për shkak të mungesës së investimeve.
Shqetësimi kryesor është rruga e degraduar me gjatësi 55 km dhe mungesa e energjisë elektrike.
Ky vend turistik mes malit të Didhës dhe atij të Kunorës, është shumë i njohur për ujin e rrallë kurativ që ka, dhe gjatë viteve të fundit numri i vizitoreve nga Shqipëria dhe jashtë saj ka ardhur gjithnjë në rritje.
Ata e konsiderojnë absurditet lënien jashtë vëmendjen të kësaj zone me potencial dhe vlera të jashtëzakonshme turistike.
“Një nga perlat më të bukura, por lë për të dëshiruar rruga që është si në mesjetë. Mungon energjia elektrike.”
“Ku vend është frikë të vish nga rruga.”
“Kjo është skandaloze. Kush e ndjek këtë vend duhet ta vërë një dorë.”
Numri i vizitoreve në Kroin e Bardhë gjatë stinës së verës arrin deri në 5 mijë persona, shifër kjo që sipas ekspertëve mund të katërfishohej, nëse do rehabilitohej rruga e cila është thuajse e pakalueshme.




