Plumb fëmijëve për sherr, “çmendet” 49 vjeçari në Shkodër, qëllon bashkëmoshatarët e të birit

Ndërhyrja e një 49-vjeçari në një konflikt fëmijësh rrezikoi të prodhojë tragjedi në Shkodër. Agron Mahmuti qëlloi me armë bashkëmoshatarët e të birit rreth 13-vjeçar pasi dështoi të shuajë një sherr mes tyre.  Këtë të martë ai u vetëdorëzua në Polici për të marrë përgjegjësitë para drejtësisë.

Shkoi të shuajë sherr fëmijësh, por në vend të pajtimit rrezikoi të shkaktojë masakër.

Agron Mahmuti (Mehmeti) është personi që shkrepi armë ndaj të miturve në Shkodër, pasditen e së hënës.

49 vjeçari kishte shkuar të sqarojë një konflikt mes një grupi fëmijësh me të birin bashkëmoshatar.

Agron Mahmuti ka debatuar për gati 10 minuta me ta.

Gjatë kësaj kohe mësohet të jetë shprehur se fëmijët e ofenduan dhe ai e ka humbur arsyen.

Agron Mahmuti ka nxjerrë pistoletën që mbante në brez dhe me sjellje të palogjikshme kërcënoi fëmijë.

Njërin prej tyre e goditi me qytën e pistoletës në kokë dhe më pas I qëlloi drejt.

Objektivi ishte vetëm 13 vjeç.

Fatmirësisht i shpëtoi plumbit pa lëndime pasi arriti të largohet në kohë.

Me fat edhe fëmijët e tjerë që ishin aty që nuk u prekën.

Brenda pak sekondash, rreziku i tragjedisë kaloi nga fëmijët tek punëtorët e klientët në këtë lokal.

Plumbi i qëlluar nga Agron Mahmuti mbeti i si dëshmi në kondicionerin e lokalit

Gjithçka ndodhi në qendër të qytetit, në mjediset e jashtme të gjimnazit “28 Nëntori”.

49 vjeçari u largua nga zona por u identifikua falë pamjeve të kamerave të sigurisë.

Këtë të martë shkoi dhe u vetëdorëzua në policinë e Shkodrës për tu përballur me pasojat e sulmit me armë ndaj fëmijëve.