E paprecedent në Shkodër, 49-vjeçari qëllon me armë drejt një grupi fëmijësh, plumbi përfundon në lokal
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasdreke në qytetin e Shkodrës. Sipas burimeve një person 49 vjeç ka qëlluar me pistoletë në drejtim të një grupi fëmijësh 13-15 vjeçarë.
Ngjarja ka ndodhur në afërsi të gjimnazit “28 nëntori”, në qendër të Shkodrës. Personi, i cili lëvizte me biçikletë, është afruar pranë vendit të quajtur “Lapidari” ku po rrinin fëmijët dhe në rrethana të paqarta, ka qëlluar me pistoletë në drejtim të tyre.
Fatmirësisht ata e kanë pikasur personin dhe janë larguar me shpejtësi. Plumbi fatmirësisht nuk ka prekur asnjë nga fëmijët, teksa ka përfunduar në pjesën e pasme të një kondicioneri në një lokal aty afër.
Sipas burimeve ky person, ka goditur me qytën e pistoletës një nga fëmijët.
Informacion paraprak i policisë
Rreth orës 18:00 në lagjen "Qemal Stafa", Shkodër, një person ende i paidentifikuar ka qëlluar me armë zjarri ku është dëmtuar vetrata e një lokali aty afër dhe më pas është larguar.
Nga të shtënat nuk ka persona të lënduar. Nga veprimet paraprake hetimore të kryera nga grupi hetimor në vendngjarje është gjetur një gëzhojë.
Grupi hetimor po vijon punën për sqarimin e rrethanave të kësaj ngjarjeje, identifikimin dhe kapjen e autorit.

