Si anije e ngecur në shkëmb, Ora Verore zbërthen mitet e kalasë së Ulqinit nga vajza që u kthye në peshk te sirena
Një ndër pikat më turistike të qytetit të Ulqinit është kalaja. Ismet Karamanaga, kryetar i shoqatës së miqve të kalasë tregon për Ora Verore në Rtv Ora pak nga historiku i saj.
"Kalaja e Ulqinit është një nga kalatë më të bukura. Të gjithë gjërat Ulqinit i kanë ardhur prej kalasë. Është si një anije e mbetur në një shkëmb.Kështu ka thënë dhe një kalorës gjerman kur ka kaluar për të parën herë në 1497, në kohën kur mendohej se do të ndodhte apokalipsi. Ai ka thënë: Është e mundur që këtu është parajsa. Osmanët kanë qëndruar 313 vjet këtu. Pas Shkodrës është marrë Ulqini nga osmanët. Ata kanë rinovuar bedenët e kalasë".
Për këtë kala nuk mungojnë dhe mitet nga vajza ulqinake që u vetëflijua për dashurinë dhe u kthye në peshk, deri te sirena e detit.
"Vajza ka qenë ulqinake, e dashuruar me një të ri. Prindërit e kanë martuar me një të moshuar dhe kur vjen dasma vajza vjen në beden dhe hidhet në det. Perëndisë i është dhimbsur aq shumë dashuria e saj sa e shndërron në një peshk të bukur që ne e kemi quajtur Bukuri. Peshku ende jeton këtu, është i vogël, rritet deri në 10 cm dhe zihet lehtë me grep, a thua se shpirti i saj do përsëri të dalë në tokë. Kemi tjetër legjendë, floçkën e detit, të cilën e kanë shikuar përmes këtyre bedenëve ulqinakët dhe marinarët gjysmë peshk dhe gjysmë grua".

