"Riedukimi", gazetarët mblidhen para derës së tij, Rama flet për vlerat e BE-së nga Holanda

Me banderola në duar dhe me mbylljen e gojës si simbolikë, gazetarët protestuan për lirinë e fjalës së tyre dhe pavarësi në profesionin që ushtrojnë çdo ditë në terren para dyerve të Kryeministrisë.

Dhe si kundërpërgjigje ndaj revoltës që shkaktoi vendimi për riedukim i gazetarit Klevi Muka, Edi Rama u shfaq në Holandë paralelisht në të njëjtën orë kur nisi dhe tubimi i mediave.

Gazetarë, aktivistë dhe përfaqësues të shoqërisë civile dolën  pasditen e së hënës në protestë përpara kryeministrisë në mbështetje të gazetarit Klevin Muka, i cili u dënua nga kryeministri Edi Rama që të mos marrë pjesë në konferencat për shtyp të tij në tre muajt e ardhshëm.

Me banderola në duar dhe me mbylljen e gojës si simbolikë, gazetarët kërkojnë lirinë e fjalës së tyre dhe pavarësi në profesionin që ushtrojnë çdo ditë në terren.

Por në mënyrë paradoksale, teksa gazetarët po protestonin te dera e kryeministrisë dhe Shqipëria ka shënuar një rënie pikiatë në lirinë e medias, Edi Rama po fliste për vlerat e BE-së në krah të kryeministrit holandez, Mark Rutte.

Rama: Është një dhuratë e vërtetë të jesh këtu. Pres edhe darkën me Mark për ditëlindjen time. Ai është më i ri, por ka më shumë përvojë. Dua të shpreh mirënjohjen e vërtetë për Holandën. Për kombinimin e qëndrimit të tyre të rreptë, që ishte nervozues njëfarë kohe, derisa e kuptua çfarë ishte. Përmes një programi të quajtur Matra që ka bërë ndryshimin në çuarjen përpara të reformës në drejtësi. Kuptuam që Holanda ishte serioze për kriticizmin e saj. Nga ana tjetër falë këtij raporti ne shohim më shumë nga Holanda në vendin tonë. Renditet mes investuesve më të mëdhenj në Shqipëri.