Negociatat në BE, kryeministri holandez paralajmëron Maqedoninë e Veriut për ndarje nga Shqipëria nëse refuzon kompromisin francez
Kryeministri holandez paralajmëroi Maqedoninë e Veriut se mund të ndahet nga Shqipëria në procesin e negiociatave me BE nëse refuzon kompromisin francez, të cilin ai e konsideroi si të drejtë.
Në një konferencë për mediat me kryeministrin Edi Rama, Mark Rutte u shpreh se asnjëherë nuk ka qenë në favor të bashkimit të dy shteteve në këtë proces.
Rutte: Kurrë nuk kemi qenë në favor të të qenit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut bashkë por ka një mendim të gjerë që nuk duhet të shkëputen pasi janë bërë shumë gjëra, Maqedonia e Veriut ka bërë shumë, ka ndërruar dhe emrin. Ka optimizëm që Maqedonia e Veriut të pranojë kompromisin francez dhe ju bëj thirrje ta pranojnë sepse ëahtë një kompromis i drejtë. Gjithëkush fiton diçka, humbet diçka por sëpaku është një rezultat i drejtë. Nëqoftëse, dhe shpresoj që jo, kjo të mos marrë mbështetjen e Maqedonisë së Veriut do ketë më shumë mbështetje në Europë që Shqioëria të nisë ndarazi bisedimet për anëtarësim. Le të shpresojmë të mos jetë e nevojshme dhe Maqedonia të bjerë dakord dhe më pas të gjithë mund të ecim krah për krah drejt të ardhmes.
Rama: Suedia edhe Finlanda janë vlerë e menjëhershme shumë e lartë e shtuar për NATO-n nga pikëpamja ushtarake dhe e shoqërive të tyre, të jenë anëtarë të rinj ekselentë që nuk është rasti për Ballkanin Perëndimor kështu si jemi. Sa i takon Maqedonisë së Veriut nesër në qeveri do merret një vendim dhe më pas parlamenti duhet të bëjë pjesën e vet. Nëse jo mund të ketë dhe shumë vite të tjera pritjeje.
Të dy mbështetën idenë e krijimit të Komunitetit të ri politik. Madje Rutte foli dhe për një nismë shqiptaro-holandeze që të drejtojë procesin.
Rama: Ne jemi plotësisht përkrah idesë së Komunitetit të ri politik sepse ndihmon lër të ngushtuar këtë hendek psikologjik midis nesh si europianë dhe europianët që janë në BE. Kjo nuk zëvendëson procesin tonë individual mbështetur në meritë drejt BE por ka qëllim të krijojë kushtet që ne të jemi bashkë kur vjen fjala për sfida të mëdha që nuk mund të ndahen mes BE dhe Ballkanit Perëndimor. BE është shprtehja e parë gjeografike me kufij të brendshëm dhe të jashtëm, brenda kufijve të brendshëm jemi ne. Ballkani është pjesa më e cënueshme e zinxhirit që mund të preket dhe larg qoftë të thyhet si pasojë e luftës nën Ukrainë dhe anën lindore. Rusia ka një influencë të qartë brenda, ka disa lidhje tradicionale. Duhet ta marrim Serbinë me ne dhe të mos e lëmë të shkojë nën anën tjetër. Ballkani i Hapur ka ndihmuar, qëndrimi për ti thënë gjërat, për të nxitur Serbinë të bëhet pjesë dhe harmonizohet me sanksionet por nga ana tjetër të kuptohet që ka nevojë për kohë, ky është qëndrimi i duhur. Ballkani i Hapur ka të bëjë dhe me krijimin brenda rajonit të një hapësirë të BE me katër liritë funksionale që është një hapësirë paqeje.
Rutte: Ideja jonë është të kemi një nismë shqiptare-holandeze që të jetë pjesë e takimit të parë. Më pëlqen të kemi një nismë shqiptaro-holandeze që të drejtojnë procesin sepse deri tani ka qenë ideja franceze, është diskutuar për orë të tëra në Këshill por askund tjetër. Do ta diskutojmë në darkë por do jetë një ide e shkëlqyer.
Rama: Po flasim për nisjen e bisedimeve për anëtarësim. Nuk ka të bëjë me një datë por ndërtimin e institucioneve të forta demokratike dhe ndërtimin e një mjedisi të besueshëm demokratik, të një demokracie funksionale. BE dhe KE është një burim unik dije i mënyrës si të ndërtosh një shtet funksional demokratik. Pavarësisht nga data dhe koha na duhet të ecim në proces. Është një proces që në fund e bëjmë për veten, BE është për të na ndihmuar.

Holanda deri vonë ka qenë një kritike e ashpër e Shqipërisë për çështje që lidhen me krimin e organizuar.
Rutte: Është e vërtet që morëm ca kohë për t'ju afruar idesë që Shqioëria dhe Maqedonia e Veriut të anëtarësoheshin në Europë. Por nga 2020 e kuptuam dhe ramë dakord që ky është hapi tjetër logjik. Situata midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë nuk e ka bërë të mundur hapjen e bisedimeve faktike, shpresojmë të ndodhë shumë. Komuniteti i ri politik Europian është një mënyrë për Europën të diskutojë edhe çështjet e tjera mes të gjithë vendeve europiane.
Kryeministri holandez vlerësoi dhe Ballkanin e Hapur dhe zgjodhi edhe bashkëpunëtorin e tij në rajon.
Rutte: Unë do përgëzoja dhe rekomandoja çdo platformë që bën vendet të diskutojnë, kjo është mënyra për shumë vende në Ballkanin Perëndimor të diskutojnë çështjet e interesit të përbashkët. Ideja është për të ecur në një zonë të lirë tregtare mes vendeve. Kjo përshpejton procesin e anëtarësimit dhe ndihmon për tu siguruar që tensionet të mos bëhen të papërballueshme. Kjo kërkon lidership. Jo se e kam në krah por po të shihni rajonin drejtuesi më me përvojë që ka marrëdhënie të mira me të gjithë është ky burri që ka ditëlindjen sot.
Ndërkohë Rama foli për bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve.
Rama: Holanda tashmë renditet mes investuesve më të rëndësishëm në Shqipëri, kemi Shell. Presim me padurim një lajm të mirë në fillim të vitit tjetër falë një eksplorimi mjaft intensiv që Shell po bën në vendin tonë. Nëse do të jetë kështu do të kemi për të festuar jo vetëm për Shqipërinë por gjithë rajonin në këto kohë të vështira për energjinë dhe burimet e reja. Presim të shohim bashkëpunimin mes aeroportit të Tiranës dhe Skipolit ashtu si po presim me padurim për zhvillimin e një porti të ri tregtar dhe ushtarak të Shqipërisë që është projektuar nga një kompani holandeze.
Mbrëmja në Amsterdam do mbyllet me një darkë mes dy kryeministrave edhe për një arsye të veçantë.
Rama: Është dhuratë të jesh këtu dhe pres me padurim dhe darkën me Markun për ditëlindjen time. Është më i ri se unë por ka më shumë përvojë dhe është më i mënçur. U bëra xheloz që fjalimin që doja të bëja unë e bëri ai. Por dua të shpreh mirënjohjen e vërtetë për Holandën, qeverinë holandeze, kombinimin e qëndrimit të tyre të rreptë që ishte nervozues për njëfarë kohe me mbështetjen e tyre reale në terren përmes një programi që ka bërë ndryshimin në çuarjen përpara të reformës tonë në drejtësi që po kështu ka forcuar marrëdhnënien tonë. Kuptuam që Holanda ishte serioze lidhur me kriticizmin e saj por edhe Holanda kuptoi që ne ishim serioz në përmbushjen e detyrimeve tona.
