Barcelona nuk ka më durim, ultimatum Bayernit për Lewandowski-n

Koha nuk premton dhe durimi i Barcelonës për Robert Lewandowski-n po mbaron. Bayern Munich ka refuzuar dy ofertat e para të katalanasve për sulmuesin polak dhe momentalisht numri 9 duket më larg stadiumit “Camp Nou” që gjatë orëve të fundit i është shtuar edhe emri i sponsorit “Spotify”.

Presidenti Joan Laporta u ka bërë me dije gazetarëve se është në pritje të përgjigjes përfundimtare të bavarezëve për ofertën e nisur në Gjermani që është dukshëm më poshtë se kufiri i 60 milionëve të kërkuar nga Oliver Kahn.

Barcelona shpreson që Bayerni të bëjë ulje çmimi për një lojtar tashmë në moshën 34-vjeçare dhe për më tepër pa asnjë dëshirë për t’u rikthyer në Bavari ku ka deklaruar se nuk dëshiron të luajë sërish.