Ditë rinovimesh te Kukësi, kapiteni mbetet besnik i verilindorëve
Lajm i rëndësishëm për Skënder Gegën që merr konfirmimin e vazhdimit të bashkëpunimit nga kapiteni Gjelbrim Taipi edhe për dy sezonet e ardhshme, Kukësi njofton rinovimin e kontratës me mesfushorin. Rinovim i rëndësishëm për verilindorët që forcohen ndjeshëm me qëndrimin e lojtarit të lindur në Maqedoninë e Veriut.
“FK Kukësi njofton se ka arritur marrëveshjen me kapitenin Gjelbrim Taipi për të rinovuar kontratën edhe për 2 sezone të tjera. Mesfushori nga Tërnoci, ka firmosur sot kontratën e re e cila skadon në verën e vitit 2024, duke zgjatur në këtë mënyrë bashkëpunimin.
Taipi u bashkua me Kukësin në sezonin 2020-2021 duke qenë ndër futbollistët më të rëndësishëm në ekip dhe njëkohësisht duke marrë edhe shiritin e kapitenit. Klubi i Kukësit i uron suksese kapitenit Gjelbrim Taipi”, shkruan klubi në faqen zyrtare.
Një tjetër rinovim ditën e sotme në kampin kuksian ishte edhe ai i Redon Dragoshit që e shtyu bashkëpunimin edhe për një sezon tjetër. 22-vjeçari fitmosi kontratën e re që do ta lidhë deri në verën e vitit të ardhshëm.
