E pandalshme/ Luiza Gega e artë me rekord mesdhetar në Oran 2022
Medalje e artë për vajzën e artë të atletikës shqiptare. Luiza Gega fiton garën e 3000 metra me pengesa në Oran 2022 duke vendosur rekord mesdhetar me kohën 9.14.29.

Ky është edhe një rekord kombëtar për Luiza Gegën që ka treguar një formë fantastike në pistën algjeriane duke mos zhgënjyer në pritshmëri. Kjo është medalje e dytë e artë radhazi e Luiza Gegës në Lojërat Mesdhetare, asaj të “Tarragona 2018”.
Nuk e vendosi asnjëherë në diskutim fitoren rekormenia shqiptare në Lojrat Mesdhetare ku e uli rekordin e mëparshëm me rreth 14 sekonda. Kjo është medalja e dytë e artë për Shqipërinë në këto lojra dhe e treta në total. Me këtë medalje, Shqipëria ngjitet në vendin e 16 të klasifikimit të përgjithshëm të Lojrave Mesdhetare Oran 2022 duke lënë pas Malin e Zi, Marokun dhe 6 vende të tjera.

Një ditë fantastike për atletikën kuqezi në pistën e Oran ku Franko Burraj u kualifikua në garën finale të 400 metra me shpresën që mund të arrijë në zonën e medaljeve.
