Paga “mostruoze” e Salah. Ja si arriti egjiptiani të vendoste me “shpatulla pas murit” Liverpool-in
Momo Salah arriti atë që deshi, dyfishin e pagës dhe një kontratë 3-vjeçare. Egjiptiani i Liverpool bëhet një nga lojtarët më të paguar të planetit me një pagë që i kalon 25 milionë eurot në sezon. Plot 400 mijë pound në javë do të arkëtojë “faraoni” që kërkoi një shumë të tillë që në fillim të bisedimeve me “The Reds” duke mos bërë asnjë ulje në çmim.
Pasi hyri në fazën e 12 muajve të fundit të kontratës me klubin nga qyteti-port, golashënuesi më i mirë i sezonit të fundit në Premier League e vendosi klubin me “shpatulla pas murit” për shkak të hijes së vazhdueshme të Real Madrid mbi kokën e Jurgen Klopp. Frika e këtij të fundit për të mos humbur një tjetër sulmues pas largimit të Mane, bëri që nënkampionët e Anglisë të detyroheshin për të plotësuar kushtet e Salah.
Drejtori sportiv i Liverpool, Julian Ward fluturoi me një avion charter drejt Mykonos ku sulmuesi ndodhet me pushime, duke ia vendosur letrat në tryezë dhe në krahun tjetër, golashënuesi më i mirë i dekadës së fundit, respektoi fjalën e dhënë duke u hedhur ujë zërave për një largim të mundshëm nga “Anfield Road”. Ndoshta nuk është paga më e lartë absolute në futbollin botëror, por është e sigurt që kontrata e re e Salah është rekord për klubin e kuq.
