Asllani firmos, ylli kroat e uron që i “rrëmbeu” fanellën, Lukaku i “çmendur” pas tij

Pritja merr fund, Kristjan Asllani, shqiptari nga Elbasani që emigroi bashkë me familjen e tij në moshën 2-vjeçare drejt Toskanës, sot është lojtar i Interit, skuadrës që është shpallur 18 herë kampione e Italisë.

20-vjeçari i rritur në akademinë e Empolit nënshkruan me presidentin Steven Zhang dhe do të marrë fanellën e Ivan Perisic me numër 17, një sinjal i rëndësishëm nga trajneri Simone Inzaghi që beson shumë te aftësitë e talentit polivalent të mesfushës. Ndërkohë, edhe vetë Perisic e ka uruar shqiptarin duke i shkruar në rrjetet sociale: “Paç fat vogëlush”. Një mesazh i fortë mbështetës për talentin kuqezi.

Asllani firmos, ylli kroat e uron që i “rrëmbeu”

Lojtari i Kombëtares Shqiptare hodhi firmën në kontratën 1-vjeçare të huazimit me detyrim blerjeje nga ana e Interit për 14 milionë euro, duke u bërë një nga lojtarët më të shtrenjtë të historisë së futbollit tonë.

Bekimin ia jep Romelu Lukaku që në një bisedë normale me presidentin Zhang i thotë: Është 20 vjeç por flet si një 27 vjeçar”. Talenti i datëlindjes 2002 është blerja e dytë e Interit dhe konsiderohet pasardhës i Marcelo Brozovic në mesfushën zikaltër.

Në intervistën e parë si zikaltër dhënë për Inter Channel, Asllani rrëfen emocionet e transferimit në një nga klubet më të mëdha të Italisë:

“Jam 20 vjeç dhe të veshësh këtë fanellë është një emocion unik për mua. Mezi po pres fillimin e sezonit të ri dhe do të jap më të mirën. U largova nga Shqipëria kur isha vetëm 2 vjeç dhe mbërrita në Itali. E bëra të gjithë shkollën këtu, fillova të luaj futboll në Itali dhe kurrë s’do e imagjinoja këtë.

Kam parë aq shumë ndeshje sa mundesha, sepse doja të mësoja diçka nga të gjithë mesfushorët. Tani jam me fat që do të luaj me Brozoviçin, i cili është një mesfushor shumë i fortë”.