Rrugës i del pronari pas 20 vitesh/ Banorët në protestë: Nuk kemi ku të kalojmë!
Banorët e fshatit Babullojë të Lezhës kanë protestuar të martën, pasi një rrugë në të cilën ato kalojnë prej 20 vitesh tanimë është bërë me pronar. Banorët thonë se duhet të gjendet një zgjidhje pasi rruga është bllokuar, dhe ata janë izoluar.
30 familje në fshatin Babullojë të Lezhës janë izoluar, pasi një pjese të rrugës që i lidh me superstradën Lezhë-Laçi ka dalë pronari.
Bëhet fjalë për 50 metra rrugë për të cilën një banor i fshatit pretendon pronësinë duke e rrethuar dhe bllokuar lëvizjen.
Kjo situatë vijon prej 9 muajsh dhe përballë mos gjetjes së një zgjidhje banorët u ngritën në protestë.
“Nuk shkojnë dot fëmijët në shkollë. Unë jam në punë, më duhet ti bie 2 kilometër rrugë”
Ata thonë se janë ankuar tek institucionet përgjegjëse por shqetësimi tyre nuk ka marrë vëmendje.
“Bashkia nuk ka reaguar fare. I kam thënë kryetarit që duam të takojmë. Tha hajdeni filan ditë, kemi shkuar por s’na ka prit.”
Banorët kërkojnë t’ju mundësohet një rrugë kalim për të shkuar tek banesat e tyre të cilat i kanë ndërtuar 20 vite më parë, ndërsa paralajmërojnë përshkallëzim të reagimit deri në bllokimin e superstradës nëse shqetësimi tyre nuk do të marrë zgjidhje të shpejte.
“Nuk mundesh me zaptuar një pronë në shtet dhe ta përvetësoj. Në do bëjmë përshkallëzim të protestës dhe do dalim të bllokojmë autostradën”
Burime nga Bashkia Lezhë bëjnë me dije se janë në dijeni të problematikës dhe se po punohet për ti dhënë zgjidhje problemit, brenda një kohe të shpejtë me qëllim që banoret të kenë një rrugë që i lidh me superstradën.
