Me dokumenta false drejt vendeve të BE, kartat italiane me të falsifikuarat
Efektivat e komisariatit të Rinasit kanë shtuar kontrollet pas shtimit të rasteve të personave që tentojnë të kalojnë në kufi me dokumente të falsifikuara. Për Ora News, shefi i komisariatit të Rinasit, tha se rastet më të shpeshta të falsifikimeve janë ato të kartave italiane, e ndërsa së fundmi po shikohet një rritje e kartave angleze.
Dëshira për të emigruar drejt vendeve të Bashkimit Europian në mënyrë ilegale ka shtyrë që shumë shqiptarë të përdorin pasaporta dhe viza të falsifikuara.
Shefi i komisariatit të Rinasit, Përparim Dema, thotë se janë shtuar kontrollet më qëllim identifikimin e këtyre rasteve.
"Analiza e riskut bëhet në dy drejtime. Kemi një kategori shtetasisht të cilët tentojnë të hyjnë në vend duke përdorur dokumenta të falsifikuara. Ka qenë një trend vitin e kaluar, kemi pasur 169 raste me viza shqiptare ose dokumenta të shteteve të tjera të falsifikuara që kanë tentuar të hyjnë në territorin e Republikës së Shqipërisë. Këta shtetas janë ndaluar dhe nuk u është lejuar hyrja".
Sipas Demës, gjatë vitit që lamë pas i është ndaluar hyrja në Shqipëri 2500 personave nga vendet e treta.
"Po ashtu kemi pasur një trend me 2500 shtetas të vendeve të treta të cilëve u është refuzuar hyrja, nuk kanë plotësuar kushtet për të hyrë në territorin e Republikës së Shqipërisë. Për vitin 2021 bëhet fjalë, në sezonin veror.Pastaj kemi një trend të dytë që janë shtetas shqiptar ose të vendeve të tjera që tentojnë të dalin nga Republika e Shqipërisë me dokumenta të falsifikuara."
Drejtuesi i policisë së Rinasit thotë se rastet më të shpeshta të falsifikimit janë ato për kartat e identitetit të shtetit italian dhe grek, e ndërsa së fundmi tendenca është rritur edhe për kartat angleze.
"Ka kryesisht karta identiteti italiane, ka greke. Kryesisht udhëtojnë me dokumente të rregullta shqiptare dhe në një destinacion të dytë ndërrojnë Gatet. Duke qenë se Anglia është tendenca më e madhe për të ikur këta shtetas, ajo nuk është në zonën Shengen, i ka Gatet ku është dhe Shqipëria dhe zgjedhin fluturime të përafërta në orar. Nuk kthehen për Shqipëri, por devijojnë Gatet".
Prej fillimit të këtij viti, policia kufitare e Rinasit ka kapur dhe proceduar 19 shtetas në dalje dhe 31 në hyrje për përdorim të dokumenteve false me qëllim kalimin në kufi.
