Propozimi i Rrokajt: Në maturë të bëhen vetëm dy provime. Shqiptarët nuk janë mësuar ende që të mos kopjojnë, ka presion
Shezai Rrokaj, ish rektor i Universitetit të Tiranës, teksa ka folur për provimet e maturës është shprehur se nuk është e nevojshme që të ketë kaq shumë provime.
Në një intervistë për Ora News, me Anila Zyberajn, Rrokaj u shpreh se Universitetet duhet t’i përcaktojnë vetë lëndët që duhet të zotërojnë studentët për degën që dëshirojnë dhe këto lëndë duhet të përcaktohen me mesataren e tre viteve.
Ai tha se mund të bëhen vetëm provimi i gjuhës dhe matematikës në maturë, duke hequr lëndën e anglishtes dhe atë me zgjedhje.
Shezai Rrokaj: Universitetet duhet t’I përcaktojë vetë lëndët që duhet të zotërojë më mirë kandidati për studentë dhe ato lëndë të përcaktohen në mesataren e tre viteve. Mund të kemi një sistem mbyllës të maturës me dy provimeve, matematikë gjuhë, dhe një sistem pranues të Universiteteve të cilat përcaktojnë dhe mesataren që kërkojnë të vijnë studentët, por kërkojnë dhe lëndët që shkojnë në profilin që studentët dëshirojnë. Nuk është nevoja që të jepen kaq shumë provime. Ka shpenzime të jashtëzakonshme.
Teksa ka folur për rezultatet, ai tha se shqiptarët ende nuk janë mësuar me kulturën që nuk duhet të kopjojnë. Ndër të tjera ai tha se nxënësit janë në presion kur vjen puna tek provime dhe sipas tij duhen mënjanuar shkaqet që çojnë në këtë presion.
Shezai Rrokaj: Shqiptarët ende nuk janë mësuar që të mos kopjojnë. Në Kukës dolën rezultatet më të larta në matematikë. Kur ka presion duhen mënjanuar të gjitha shkaqet që e krijojnë këtë presion. Presioni zbutet në momentin që ti nuk i bën më të rëndësishme këto lëndë, por bën të rëndësishme një gjë, që fëmija të mësojë, jo thjeshtë për të marrë një notë të mirë aty, se mund t’I ndodh që atë ditë të mos e marrë atë ditë por të punojë tre vite.
Nuk është nevoja të bëhen kaq shumë provime, kur ne e dimë shumë mirë se në sistemin e arsimit shqiptar është problem shumë i madh mungesa e etikës.(A.K. Ora News)
