Matura dështim i sistemit arsimor/ Malaj: Të rinjtë kanë mangësi në njohjen e gjuhës shqipe
Mosfunksionimi i mësimit online dhe mungesa e investimeve në sistemin arsimor janë ndër arsyet që sipas ish-zëvendës ministres Nora Malaj kanë ndikuar që edhe matura e këtij viti të sillte pakënaqësi dhe rezultate jo të mira për nxënësit.
“Jemi larg premtimeve që qeveria ka thënë për GTP, pra nuk kemi rritje të GTP, pra një arsim pa të ardhura nuk mund të bëhet dhe reflektimi është pikërisht edhe te matura. Reforma në sistemin e arsimit ende nuk është realizuar e plotë. Edhe nxënësit që kanë mbaruar para tre viteve shkollën edhe ata që vijnë tani, kanë mangësi si rezultat i kushteve të procesit të mësimit gjatë periudhës së Covid-19."
Nora Malaj thotë se efektet e mësimit në distancë do të ndihen gjatë.
Rikuperimi i mangësive përveç nxënësve do të varet edhe nga mësuesit.
“Dikush i aftë, dikush më pak i aftë, puna është si do i aftësojmë, nuk është qëllimi t’i heqim nga sistemi, se janë të paaftë dhe me një të rënë të lapsit duhet t’i zhdukim por duhet të kuptojmë shkallë pas shkalle. Ministria e Arsimit e ka për detyrë të bëjë një analizë të gjendjes të standardeve dhe cilësisë që ka mësuesi.“
Thotë se të rinjtë kanë mangësi në njohjen e gjuhës amë. Këtë e vërtetuan edhe rezultatet e provimit të maturës. Nga gjimnazi në auditore studentët shkojnë me probleme të mëdha.
“Sot jemi në një situatë pak dramatike që kërkon një vëmendje të jashtëzakonshme, kërkon që shoqëria të shkundet mirë, kanë një fjalor shumë të mangët dhe kanë shumë pak bagazh në leksikun e fjalëve dhe si të tillë e kanë të vështirë të shprehen bukur.”
Matura e këtij viti shkaktoi shumë pakënaqësi te nxënësit të cilët ngritën pretendime dhe protestuan për mënyrën e hartimit të provimeve veçanërisht të atyre me zgjedhje.
Por për Ministrinë e Arsimit pyetjet e të gjitha testeve kanë qenë brenda programeve mësimore.
