Helmimi i kuksianëve/ Gjici fajëson mjekun për panik dhe kërcënon me padi ata që bëjnë politikë me ujin e pijshëm

Dhjetëra qytetarë të Kukësit janë paraqitur në spitalin e qytetit prej mëngjesit të së dielës me shenja helmimi. Teksa autoritetet nuk mund të thonë se nga ka ardhur kjo situatë ata e përjashtojnë mundësinë që uji ka qenë i kontaminuar.

Në lidhje me këtë ka reaguar edhe vetë kryebashkiaku i Kukësit Safet Gjici, i cili thotë se deklarata që ka dhënë mjeku është keqkuptuar dhe keqpërdorur politikisht dhe në rrjete sociale.

Ai ka fajësuar mjekun që përhapi panik te qytetarët ende pa u marrë analizat e ujit.

Safet Gjici: Një deklaratë që ka dhënë një mjek është keqkuptuar nga të gjithë ata që e kanë keqpërdor, qoftë në rrjete sociale, qoftë edhe këta që e kanë përdor politikisht. Patjetër që policia do të bëjë hetimet e veta, patjetër që policia ka kërkuar edhe analizat e ujit. Ne na rezulton që uji është brenda normave dhe nuk ka pasur problemeve. Këto raste mund të kenë qenë për shkak të virozës ose për shkaqe të tjera, sepse ky është problemi i mjekëve sepse ka folur që mund të jetë nga kjo, ose nga kjo, por në fakt mjeku nuk duhet të flasë në këtë mënyrë pa marrë analizat e liçensuara për këtë gjë.

Ai tha se uji nuk ka probleme, ndërsa ka kërcënuar me padi ata që bëjnë politikë me ujin e pijshëm.

Safet Gjici: Ujësjellësi është në krye të detyrës, po rregullohet edhe ai problem. Ne kemi pasur edhe probleme në raste të tjera por nuk janë bërë kaq abuzive siç i kanë bërë këta për të përdorur politikën. Uji nuk ka probleme. Ne do të kërkojmë hetim nga prokuroria dhe policia që të gjithë ata që hapin panik tek qytetarët. Është e papranueshme që të flasësh para popullatës pa pikë përgjegjësie. Nuk mund të bësh politikë me ujin e pijshëm. Ata institucione dhe ata  mjekë duhet të kenë kujdes kur të flasin për tema sensitive si është uji i pijshëm, pa ardhur akoma analizat.

Kush abuzon me këtë temë do të mbajë përgjegjësi sipas ligjit.