13 të penduarit e drejtësisë/ Pas kërkesës së SPAK, shtohet siguria në burgje

Prokuroria e Posaçme ka vënë në lëvizje Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve për të shtuar masat e sigurisë dhe të ruajtjes për 13 bashkëpunëtorët e drejtësisë që ndodhen të arrestuar. Ata kanë kërkuar shtimin e masave mbrojtëse për të penduarit duke urdhëruar shtimin e efektivave dhe të vigjilencës. Ndërkaq nuk dihet nëse urdhri bazohet në të dhëna konkrete për rrezik apo është një procedurë rutinë.

Prokuroria e Posaçme i kërkon Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve shtimin e masave të sigurisë për ruajtjen e jetës së bashkëpunëtorëve të drejtësisë, të cilët ndodhen të arrestuar.

Burimet e prokurorisë, thonë se bëhet fjalë për 13 persona, që kanë pranuar të bashkëpunojnë në kuadër të marrëveshjeve me organet e drejtësisë për zbardhjen e ngjarjeve kriminale. SPAK i kërkon institucionit të vuajtjes së dënimeve që për të shmangur e ndonjë incident apo kërcënimi të çdo lloj forme, bashkëpunëtorët duhet të jenë ne regjime te Posaçme dhe të mire monitoruara.

Kërkesa e prokurorisë së posaçme ka vënë në lëvizje institucionin ku qëndrojnë të penduarit, të cilët i kanë vendosur të gjithë bashkëpunëtorët në një regjim të posaçëm.

Shkresa e SPAK për drejtorinë e burgjeve vjen menjëherë sapo në media janë publikuar dëshmitë e bashkëpunëtorëve të drejtësisë dhe kryesisht Nuredin Dumani dhe Henrik Hoxhës, që kanë përfshirë edhe persona të tjerë ne kryerjen e ngjarjeve kriminale në vite.

Disa prej krimeve të rrëfyera nga Nuredin Dumani kanë qenë ngjarje të pazbardhura ndërsa bazuar në dëshminë e tij deri tani SPAK ka firmosur 32 urdhra arresti.