Bardhi kallëzon në SPAK Edi Ramën: Ka abuzuar me ligjin për investimet strategjike në rastin e Xhaçkës

Deputeti i PD, Gazment Bardhi në emër të Grupit Parlamentar të PD, ka kallëzuar në SPAK, kryeministrin Edi Rama, pasi sipas tij ky i fundit ka abuzuar me ligjin e investimeve strategjike.

Në një postim që ka bërë në rrjetet sociale, Bardhi ka përmendur rastin e ministres Olta Xhaçka, duke thënë se shqiptarët do shohin se si pronat publike po ndahen tek familjarët e ministrave, tek miqtë e Edi Ramës dhe tek një grusht oligarkësh pranë tij.

Ai i bën thirrje SPAK që të nisë hetimet dhe për të vënë para përgjegjësisë Ramën dhe këdo që ka abuzuar me pasuritë publike.

Postimi i plotë:

Sot në emër të GP të PD kam kallëzuar në SPAK Edi Ramën për abuzimet me ligjin e investimeve strategjike për rastin e Olta Xhaçkës. Mohimi i komisionit hetimor është bërë për të fshehur abuzimet dhe korrupsionin e Edi Ramës me ligjin për investimet strategjike.

Shqiptarët do të shohin sesi pronat publike po ndahen tek familjarët e ministrave, tek miqtë e Edi Ramës dhe tek një grusht oligarkësh pranë tij. Rasti i Olta Xhackës nuk është as i izoluar dhe as i vetmi, por pikënisja e transparencës për këtë çështje.

Nxis SPAK të veprojë pa vonesë për hetimim e këtij rasti dhe vënien para përgjegjësisë të Edi Ramës dhe kujtdo tjetër që kanë abuzuar me pasuritë publike.