Futboll pa pushime/ Mini-turne në SHBA, UEFA krijon kompeticionin e ri

De Bruyne apo Luka Modric kanë dalë kundër UEFA-s gjatë ditëve të fundit për kalendarin shtrydhës si pasojë e evenimentit të Ligës së Kombeve që sipas tyre është i pakuptimtë dhe shtypës ndaj lojtarëve, por kujdes, e keqja ndoshta nuk ka ardhur ende.

Sipas “L’Equipe”, institucioni më i lartë i futbollit europian ka në tryezë një projekt tjetër që përfshin klubet dhe shumë shpejt mund t’i shtohet kalendarit zyrtar. Përpara nisjes së sezonit të Champions League, UEFA parashikon të zhvillojë një mini-turne në SHBA ku do të marrë pjesë fituesja e Champions League dhe tre skuadra elitare të kontinentit.

Marketingu në SHBA është ende në hapat e parë dhe UEFA kërkon të përfitojë sa më shumë nga tregu amerikan duke shtuar një kompeticion të tillë. Presidenti i UEFA-s, Alexander Ceferin beson se ky format, disa herë më interesant se Superkupa e Europës, mund ta zëvendësojë pikërisht këtë të fundit.

“L’Equipe” shton se kompeticioni mund të marrë jetë duke nisur që nga viti 2024 dhe do të luhet me formatin e dy gjysmëfinaleve e më pas finales së madhe dhe do të zhvillohet në muajin gusht. Shoqata e lojtarëve në Francë e ka kritikuar këtë ide pasi sipas saj, do të vijë një moment kur ngjeshja e kalendarit mund të arrijë deri në atë pikë sa më të thyejë gjithë sistemin e ngritur nga UEFA.