Atentati në Bruksel/ Për Kasandër Nogën pati kontrolle dhe në Shqipëri, në kërkim bashkëpunëtori
Policia shqiptare konfirmon arrestimin e Kasandër Nogës në Vjenë. Policia belge dyshon se njëri prej autorëve të sulmit të ndodhur në Bruksel më 11 qershor është Kasandër Noga ndërsa në ngjarje dyshohet se janë të përfshirë 2 persona dhe njëri prej tyre akoma nuk është identifikuar.
“Menjëherë pas ngjarjes, ka ardhur kërkesë për bashkëpunim dhe Policia shqiptare ka ushtruar disa kontrolle për gjetjen e këtij personi por ka rezultuar se ky shtetas nuk kishte hyrë në Shqipëri” informoi sot policia e shtetit.
“Dje, pas shkëmbimit të informacionit mes Policisë shqiptare dhe Policisë belge për vendndodhjen në Austri të njërit prej autorëve të dyshuar, konkretisht të shtetasit Kasandër Noga 45 vjec nga Patosi i Fierit, ky shtetas është arrestuar në Austri nga Policia belge, e cila po punon me Prokurorinë belge, për të zbardhur e dokumentuar me prova ligjore këtë ngjarje' vijon informacionin policia.
Kasandër Noga është akuzuar nga autoritetet belge si autor i ngjarjes ku mbeti i plagosur Erion Hasanbelliu mbrëmjen e 11 qershorit 2022 në afërsi të një hoteli. Pikërisht kamerat e këtij biznesi kanë filmuar të gjithë skenën dhe zbuluan 45 vjeçarin Noga teksa qëlloi me 6 plumba Hasanbelliun dhe u largua nga vendi i ngjarjes.
