Bojkoti i avokatëve, nga Lezha në Sarandë "paralizohet drejtësia". Në Lushnje varin rrobën e zezë në kangjellat e gjykatës
Bojkoti i lajmëruar i avokatëve ka shkaktuar paralizim të drejtësisë. Në shumë qytete avokatët kanë qenë në unison dhe kanë refuzuar të jenë në seanca në shenjë proteste kunër hartës së re gjyqësore. Ata kërkojnë nga ministria e Drejtësisë të merren parasysh kërkesat e tyre
Në Korçë vetëm sot janë anuluar rreth 37 seanca gjyqësore.
Në Lushnje, avokatët varen rrobën e zezë në kangjellat e gjykatës së shkallës së parë Lushnje e cila do të transferohet në Fier.
Dhoma e avokatisë Lushnje i ka bërë thirrje edhe shoqërisë civile të protestojë kundër hartës së re gjyqesore.
Kreu i dhomës së avokatëve Lushnje zoti Kozma Jano kërkoi mbështetjen e qytetarëve. Deputeti Sajmir Korreshi si ish avokat mbështet deri në fund kauzën e avokatëve
Në Gjirokastër e Përmet do të bojkotohen të gjitha seancat gjyqësore. Prej ditës së sotme dhe deri të premten në Gjykatën e Shkallës së Parë në Gjirokastër do te shtyhen 134 seanca gjyqësore. Përjashtim bëjnë vetem masat e arrestit. Sipas përfaqesuesit të Dhomës së Avokatisë në Gjirokastër Tahir Novi, bojkoti do të vazhdojë pafundesisht derisa të përmbushen kërkesat e avokatëve për të mos hequr nga Gjirokastra Gjykatën e Apelit.
Berat – Bojkoti edhe nga Dhoma e Avokatëve të Beratit. Që prej orës 08:00 të mëngjesit të sotëm,të gjithë avokatët e Beratit kanë bojkotuar të gjitha seancat gjyqësore,përveç masave të sigurisë. Bojkoti do të vijojëderi në datën 17 qershor.
Kryetari i Dhomës së Avokatëve të Beratit, Plarent Lapardhaja ka deklaruar se,vendimi për ndryshimin e hartës së re gjyqësore penalizon jo vetëm avokatët por edhe qytetarët.
Në Lezhë Avokatët protestuan para gjykates së Lezhës, duke kundërshtuar hartën e re gjyqësore që sipas tyre fut edhe me tej në kolaps sistemin e drejtësisë. Gjatë ditës së sotme janë bllokuar 47 seanca gjyqësore.
Sarandë - 10 seanca gjyqësore janë bojkotuar sot në Gjykatën e Shkallës së parë Sarandë, bojkoti do të zgjas deri në datën 17, por nëse nuk rishikohet harta gjyqësore thonë ata do të ketë masa të tjera. Për të kërkuar drejtësi në Gjykatën e Apelit qytetarët më në jug do të kenë kostot më të mëdha.
Edhe në Elbasan janë pezulluar seancat gjyqësore.
