Kalon vetingun kryetarja e Gjykatës së Posaçme, KPA lë në detyrë gjyqtaren Irena Gjoka

Kolegji i Posaçëm i Apelimit lë në detyrë Irena Gjokën, Kryetaren e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë.

Vendimi u dha paraditen e sotme nga trupi gjykues i përbërë nga Sokol Çomo,  (kryesues) Natasha Mulaj (relatore) Albana Shtylla, Rezarta Schuetz e Mimoza Tasi

Në shpalljen e vendimit ishte e pranishme Komisionerja publike, Irena Nino dhe vetë gjyqtarja. 

Seanca e shpalljes së vendimit u monitura nga ONM.

Trupi gjykues vendosi lënien në fuqi të vendimit datë 26/02/ 2020.  

"Kolegji e gjen të drejtë vendimin e KPK që konfirmon në detyrë subjektin e rivlerësimit Irena Gjoka e për pasojë duhet të jetë në fuqi" lexoi vendimin kryesuesi i trupit gjykues Sokol Çomo

Kolegji tha se gjyqtarja ka arritur në nivel të besueshëm të pasurisë, në nivel të besueshëm kontrollit të figurës dhe profesionalitetit.

Një seancë më parë, Komisionerja publike, Irena Nino rrëzoi gjatë konkluzioneve përfundimtare shkaqet e ankimit të paraardhësit të saj, Darjel Sina dhe kërkoi konfirmimin në detyrë të kryetares së Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, Irena Gjoka.