Gati 4 mijë karta SIM angleze me postë në Rinas

Një sasi e madhe me numra telefoni të mbërritur nga Britania është kapur në aeroportin e Rinasit një javë më parë.

Ngjarja ka vënë në lëvizje policinë ndërkohë që burimet thanë se njësia “C” për Hetimin e Krimit Kompjuterik, më datë 9 qershor 2022, ka referuar dosjen në Prokurorinë e Tiranës, në ngarkim të shtetasit me iniciale M. H.

Ndaj tij mësohet se kanë nisur hetimet për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik” dhe “Shitja e paautorizuar e kartave SIM”, pasi në adresë të këtij shtetasi, ka ardhur me postë, në Rinas, një pako postare me 3991 karta SIM angleze.

Nuk dihet arsyeja pse këto karta do të përdoreshin në Shqipëri në një kohë kur nuk kanë qasje në rrjetin telefonik vendas, megjithatë policia dhe ekspertët po përpiqen për zbardhjen e ngjarjes.