UMSH me programe të reja/ Hapet Fakulteti i Informatikës, degë për mësuesinë dhe turizmin
Këtë vit hapet Fakulteti i Informatikës dhe Teknologjisë së Informacionit. Po ashtu do të ketë programe të reja në fushën e mësuesisë dhe turizmit.
Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë, vjen këtë vit me një ofertë të re akademike. Rektori i Universitetit, Ardian Civici, shpjegon cilat janë risitë për studentët.
“Është hapja e fakultetit të informatikës dhe teknologjisë së informacionit, që është dhe risia kryesore që doja ta nënvizoja sepse është një fakultet dhe një ofertë akademike që i formon studentët në një nga degët e dijes më të kërkuara dhe më dinamike të vlerësuara sot. Për herë të par ofrojmë si universitet dhe një program të ri në fushën e mësuesisë, duke pasur parasysh kërkesat e mëdha që ka vendi për mësues dhe standardet që kërkon një formim i tillë, për përgatitjen dhe të ardhmen e brezave. Përveç kësaj është hapur një program i ri në lidhje me turizmin, duke pasur parasysh që kërkesat dhe nevoja për operatorë dhe për menaxher turistikë është shumë e madhe.”
Gjithashtu studentët dhe pedagogët e Universitetit Mesdhetar, mund të kryejnë një semestër ose një vit akademik jashtë vendit.
“Ne kemi bërë disa marrëveshje konkrete, që tashmë janë në një fazë konkretizimi. Një numër i madh studentësh tanë tashmë janë duke zhvilluar, semestre ose projekte bashkëpunimi në Universitete në vende të ndryshme të Europës. Pedagogët janë bërë pjesë e shkëmbimeve intensive, me këto Universitete. Programi Erasmus, por edhe programet e tjera të ngjashme, janë ndoshta një nga elementët më cilësor që ka një Universitet që të rrisë standardet e tij.”
Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë, ka aktualisht 3500 studentë në 3 fakultetet e tij, dhe mbetet një nga institucionet lider të arsimit të lartë në vend.
