Firma e internetit akuzon drejtorin e Policisë Bashkiake në Lezhë: Na sulmoi dhe ofendoi

Një kompani akuzon Drejtorin e policisë bashkiake të Lezhës për dhunë ndaj punonjësve të saj në Shëngjin! Në reagim, Bashkia e Lezhës, thonë se ata po kryenin punime pa leje dhe sipas tyre ishin punëtorët që sulmuan policët bashkiake. Palët u përballën me kallëzime ndaj njëra tjetrës.

Punonjësit e një firme të shpërndarjes së internetit në Lezhë akuzojnë drejtorin e policisë Bashkiake për dhunë fizike dhe verbale.

Ngjarja sipas tyre u shënua të shtunën në zonën e Shëngjinit, ku po punonin për shtrirjen e një linje internet.

“Vjen policia bashkiake dhe veç me ofeza dhe më kapi për leckash.”

Pretendojnë se drejtori i policisë bashkiake Nard Palaj u shkoi në vendin e punës dhe pa kërkuar të shohë lejen u hodh njëherësh në veprim.

“Prapë ju këtu na tha. Ne ishim me leje.”

“E kapi punonjësin 64-vjeçar sikur të ishte leckë.”

Avokati Ndre Molla, thotë se veprime të tilla të dhunshme janë bërë praktikë pune nga zyrtarët e Bashkisë Lezhë.

“Veprimet e policisë bashkiake, janë veprime dhune dhe jo ligjore.”

Për të përforcuar pretendimet e punëtorëve administrator i firmës Ded Bukaqeja, tregoi dokumentacionin që sipas tij i lejonte për punën që po kryenin.

“Lejim për fillim të punimeve nga baskia e firmosur nga Pjerin Ndreu.”

Por në Bashkinë e Lezhës thonë se punimet ishin të paligjshme dhe në kushtet e skadimit të lejes, ndaj policia bashkiake ka ndërhyrë.

Ata jo vetëm mohojnë akuzat, por thonë se janë përballur me dhunë nga punëtorët e kompanisë, ndaj kanë bërë kallëzim.