Rama shmang Kajmakun, asnjë fjalë pas arrestimit për kokainë, Berisha e Alibeaj shpërthejnë në akuza

Kryeministri Edi Rama nuk ju la kohë gazetarëve që të merrnin reagimin e tij për arrestimin e ish-kryebashkiakut socialist të Vorës Agim Kajmaku me 20 kokainë në Itali.

 Edhe pse ndodhej para mediave pak orë pas arrestimit të Kajmakut, shefi i mazhorancës shmangu pyetjet që të mos vihej sërish në vështirësi për një nga socialistët e tij që ndodhet para drejtësisë, pikërisht në ditën që PS feston edhe 31 vjetorin e saj.

Në ndryshim nga qëndrimet politike, Sali Berisha, Enkelejd Alibeaj dhe Gament Bardhi ndajnë të njëjtin mendim për Agim Kajmakun.

Ish kryeministri e drejton gishtin drejt Edi Ramës, pasi sipas tij kryeministri jo vetëm që ka inkriminuar qeverinë, por nuk mban asnjë përgjegjësi ndaj skandaleve të bashkëpunëtorëve të tij.

Berisha: Narko-Bashkiaku është kapur me 20 kg kokainë në Itali, duke pasqyruar qartë dhe pastër fytyrën e kësaj qeverie. Kryenarkomani Edi Rama ka shpërblyer me poste dhe para, trafikantë droge, vrasës e hajdutë të cilët kanë ushtruar detyrat e caktuara nga ai. Njëri pas tjetrit, miqtë e tij po përfundojnë në qeli, ndërkohë që me papërgjegjshmërinë më të madhe ky njeri nuk ka marrë kurrë përgjegjësitë që i takojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë. Këtu nuk bëhet fjalë për veprime individuale, por për inkriminim kokë e këmbë të Edi Ramës dhe qeverisë së tij.

Alibeaj duket se e njeh mirë Edi Ramën, pasi në reagimin e tij paralajmëroi heshtjen e kryeministrit për arrestimin e sish kryebashkiakut të mazhorancës.

Alibeaj: E mbani mend kur Edi Rama thoshte “Gimi është si puna ime”? E kishte fjalën për Agim Kajmakun, ish-kryetar i bashkisë Vorë, sot i arrestuar në Itali për trafik droge. Rama nuk hoqi dorë asnjëherë prej sojit si ai, madje atë e përfshiu së fundmi edhe në zgjedhjet e 6 marsit në Vorë! Nuk pres as të skuqet e as të zverdhet, sepse është i nxirë faqja të gjithëve nga raportet e DASH dhe ODHIR! Me shumë gjasë sot, Edi Rama i zënë prapë mat, do zgjedhë kodin mafioz të heshtjes!

Duke marrë shkak nga ky rast Gament Bardhi ka sjellë sërish në vëmendjen Vettingun në politikë që nuk u pranua në tentativën e parë nga PS.

Sipas demokratit kalimi i politikanëve në vetting do t’i jepte fund të inkriminuarve në parlament dhe qeveri, si dhe do të shkëpuste lidhjet mes krimit dhe politikës.