Vrasja gjakftohtë e Fierit: Autori lau thikën me gjak e fshehu rrobat pasi vrau 67-vjeçarin, 15 të shoqëruar

Masakrimi me thikë i 67-vjeçarit Petraq Gjika mes serave ku punonte si roje në Mbrostar të Fierit mbetet ende krim pa autor. Ndërsa dinamika është zbardhur e plotë, mister për grupin hetimor mbeten motivet.

Vrasja me thikë e 67-vjecarit Petraq Gjika që punonte si roje në një serë në Mbrostar të Fierit, mbetet pa autor dhe e mbuluar me mister.

Më shumë se 15 persona,  familjarë, roje dhe çobanë që punojnë në zonë dhe që mund të kenë pasur njohur me të janë marrë në pyetje gjatë orëve të fundit dhe më pas janë lënë të lirë.

Dëshmitë po e ndihmojnë grupin hetimor mbi Motivet e krimit që mbetën të paqarta, ndërsa dinamika është zbardhur e plotë.

Petraq Gjika, sipas dosjes hetimore po qëndronte në kabinën e tij nga ku ka dalë pasi ka vënë re lëvizje!

Autori e ka sulmuar menjëherë me thikë në zonën e barkut. Prerjet në duar tregojnë se ka tentuar të mbrohet por nuk ia ka dalë!

Pasi është siguruar se 67-vjeçari ka ndërruar jetë, autori e ka tërhequr deri pranë kontejnerit të mbetjeve ku ai u gjet të Shtunën dhe e ka mbuluar me plasmas.

Dyshimet janë se për vrasjen u përdor një thikë me përmasa të mëdha të cilën autori besohet se e mori me vete kur u largua.

Në largim, vrasësi dyshohet se është larë në një çezmë pranë rrugës ku besohet se hequr edhe rrobat që kishte veshur të cilat për shkak të dinamikës së krimit duhet të kenë qene me njolla gjaku!

Për të rënë në gjurmët e vrasësit, grupi hetimor ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë të serës ku u vra roja por dhe objekteve të tjera në zonë të cilat mund të kenë kapur lëvizje të dyshimta gjatë natës.

Petraq Gjika u përcoll për në banesën e fundit këtë në dielë në fshatin Greçalli, ku familjarët nuk pranuan të flasin rrethe ngjarjes apo dyshimeve që ata kanë për vrasjen e 67-vjeçarit.