“Arrest në burg” autorit të vrasjes 43-vjeçarit në Sarandë, i penduar para gjykatës: Më mirë të kisha vdekur vetë

Ka dalë sot para togave të zeza të Gjykatës së Sarandës 43-vjeçari Jorgo alias Genti Golemi, i cili dy ditë më parë vrau me thikë  43-vjeçarin Kledi Koka në shëtitoren e Sarancës.

Sipas burimeve, shkak për ngjarjen është bërë sherr i ndodhur pak minuta para vrasjes mes Golemit e Kokës. Këta të fundit ishin grindur me fjalë për vendparkimin e mjeteve lundruese, në limanin e qytetit.

Më pas Koka e ka goditur Golemin me sende të forta duke e gjakosur. Pak minuta me pas, Golemi me një thikë e ka qëlluar 43-vjeçarin një herë të vetme në shpinë, ku për shkak të hemoragjisë së madhe në mushkri, ai nderroi jetë gjate operimit në spitalin e Sarandës.

I mbrojtur nga një avokat i ardhur enkas nga Tirana, Golemi është shprehur i penduar sot para trupit gjykues të kryesuar nga Fatmir Ndreu.

“Kërkoj falje për çfarë kam bërë. Jam i penduar thellë. Nuk mendova se çfarë do të ndodhte. Më mirë të kisha vdekur unë se sa shoku im. E kisha shok dhe mik”.

Ne fund të seancës, Prokurori Ilir Hoxha ka kërkuar si masë “Arrest në burg”, e cila u la në fuqi edhe nga gjyqtari Fatmir Ndreu.