Mbeten në qeli pronari dhe punëtorët e shtëpisë së barit të zbuluar në Koplik

Tre të arrestuarit në shtëpinë e barit të zbuluar në Koplik gjatë operacionit “Syri i Sheganit” mbetën në qeli.

Gjykata e Shkodrës, caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” për 64 vjeçarin Ramiz Nikdukaj pronar I banesës së përshtatur për rritjen e bimëve narkotike.

Me të njejtën masë do të hetohen edhe Bashkim Kovaçi 64 vjeç e Altion Luli 43 vjeç,  të dy banorë të Cërrikut, që u kapën duke u kujdesur për kanabisin në Malësi të Madhe.

64 vjeçari Nikdukaj sipas policisë kishte përshtatur në banesë një ambient për kultivim të bimëve narkotike nëpërmjet llambave.

Aty nën ngrohtësinë e llampave po kultivoheshin 455 bimë narkotike.

245 bimë të tjera po rriteshin në oborrin përreth banesës.

Ndërsa 22 kilogram kanabis sativa u gjetën në gjendje të tharë gati për tu shitur.

Almir Nikdukaj, djali i 64 vjecarit u shpall në kërkim, ndërsa vajza e tij po hetohet në gjendje të lirë.

Në dëshminë e parë Ramiz Nikdukaj që rezulton i punësuar si roje pranë Bashkisë Malësi e Madhe, deklaroi se kishte kthyer banesën në Shtëpi bari për shkak të gjendjes ekonomike.

Pas shqyrtimit të provave, gjyqtari Andri Ymeri pranoi kërkesën e prokurorit Vat Staka për ti mbajtur të tre të akuzuarit në burg.

Laboratori i rritjes së bimëve narjkotike përmes ngrohjes me llampa u zbulua gjatë aksionit për kapjen e tre personave të dyshuar për grabitjen e bankës së nivelit të dytë më 9 Maj në Koplik.