S`ka hetim për pronat në bregdet, rrëzohet komisioni hetimor. Balla aludon për falsifikim firmash

Kuvendi rrëzoi kërkesën e opozitës për ngritjen e komisionit hetimor për verifikimin e kompanive përfituese nga investimet strategjike. Enkelejd Alibeaj akuzoi socialistët për shkelje të rregullores, por në kundërpërgjigje Taulant Balla ka aluduar deri edhe për një falsifikim të mundshëm të kërkesës së dorëzuar në Kuvend.

Tirane- Mazhoranca nuk e ka pranuar kërkesën e deputetëve të opozitës për krijimin e një komisioni hetimor për verifikimin e kompanive që kanë marrë prona nga shteti me qëllim investimet strategjike.

Në seancën e sotme parlamentare qëndrimin Enkelejd Alibeaj e ka konsideruar shkelje të rregullores.

Në përgjigje të tij kryetari i grupit parlamentar ka shkuar deri në aludim për falsifikim të firmave, e shkak është bërë tërheqja nga kërkesa e Agron Dukës. Madje ai nuk harroi të shigjetonte as Bashën.

Madje Balla shton se një situatë e tillë nuk është regjistruar as kur në krye të kuvendit ka qenë opozita e sotme.

Taulant Balla: "Nuk ka ndodhur në 30 në Kuvendin e Shqipërisë që të marrësh firmat nga një kërkesë e rrëzuar dhe me të njëjtat firma të një dokumenti tjetër të sjellësh një dokument të ri. Është hera e parë që ndodh një gjë e tillë, një përpjekje për falsifikim. Firma është një shprehje vullneti që hidhet vetëm një herë në një dokument.

Nuk mund ta marrësh firmën e një firmëtari nga një dokument dhe ta transferosh në një dokument tjetër. Ajo që është evidentuar në diskutimin e Konferencës së Kryetarëve është se 35 firma të administruara për një dokument të datës 24 maj, u ishin shtuar dhe dy firma të reja për një dokument të ri dhe ndërkohë duke bërë shënime që deputeti "X" është tërhequr.

Si mund të ketë besim qytetari që ti do hetosh zbatimin e një ligji, kur ti shkel me të dyja këmbët ligjin bazë; atë të respektit të dokumentave zyrtare. Si mund tju besojnë ju qytetarët që do të zbatoni ligjin kur ju e nisni kërkesën tuaj me shkelje të ligjit? Nuk ka ndodhur kurrë kjo, as kur ketu ishte Pjetër Arbnori, Skënder Gjinushi, Namik Dokle, Servet Pëllumbi, Jozefina Topalli, Ilir Meta, Gramoz Ruçi. Është detyra primare e kryetarit të Kuvendit bashkë me sekretarinë përkatëse që të vlerësojnë nëse dokumenti plotëson kushtet formale.

Si mund të marr unë një palë firma në shtator dhe të vij këtu e të depozitoj kërkesë me të njëjtat firma? Kur ndryshon protokolli i numrit të dokumentit ka ndryshuar dokumenti, kur ti depoziton një kërkesë të re ka ndryshuar dokumenti. Më vjen shumë keq që po e zhvilloj këtë debat sot këtu, pasi mendova se e mbyllët në Konferencën e Kryetarëve. Mblidhni dhe njëherë të njëjtën firmëtarë këtu sot dhe hajde të bëjmë debatin këtu."

Gjithsesi Balla kërkoi nga opozita të tërheqë kërkesën duke e riparaqitur të firmosur nga e para.

Më herët opozita ka akuzuar bashkëshortin e ministres Olta Xhaçka, se ka përfituar favorizime nga qeveria në përfitimin e tokës për ndërtimin e një kompleksi turistik në zonën bregdetare në jug të vendit.