Bajram Begaj takim ish- Presidentët Topi, Moisiun dhe Meidanin: Nder i madh që të kem këshilltarë të tillë
Presidenti i zgjedhur Bajram Begaj, ditën e sotme është takuar me, ish presidentët, Alfred Moisiu, Rexhep Meidanin dhe Bamir Topin, ku për rreth 1 orë kanë diskutuar miqësisht mbi sfidat që mban posti i Presidentit por dhe për të ardhmen e vendit tonë në një kohë kur drejtësia është ne reformim dhe politika riciklon herë pas here kriza.
Ora News, mëson se Begaj në fjalën e tij ka kërkuar mbështetjen e paraardhësve të tij, për sfidat dhe punët e vendit tonë.
Ai thotë se asnjë detyrë nuk është e përjetshme ndërsa shprehet është nder për të që të ketë këshilltarë të tillë, referuar ish-presidentëve.
Bajram Begaj: Unë dëshiroj që kështu, së bashku, të kuvendojmë vëllazërisht për punët dhe sfidat e atdheut tonë. Koha kalon shpejt, askush nuk është i përjetshëm dhe asnjë detyrë shtetërore nuk është e pafundme. Por mësimet e vyera të atyre që kanë kaluar më parë nga rruga jonë duhen mbajtur parasysh sa më mirë dhe kur ke fatin që t’i kesh pranë ata, atëherë mund të gabosh më pak. Është një nder i madh për mua që të kem këshilltarë të tillë.
