Pak minuta shi përmbytin Tiranën, uji mbulon mbikalimet dhe rrugët
Kanë mjaftuar pak minuta shi i rrëmbyer që rrugët në Tiranë të përmbyten nga uji.
Reshjet intensive të shiut që nisën këtë pasdite kanë shkaktuar probleme në akset kryesore të kryeqytetit, të cilat u kthyen në të pakalueshme.
Siç shihet nga pamjet reshjet kanë vështirësuar qarkullimin në zonën e Unazës së re, pranë ish-uzinës së autotraktorëve, në autostradë, në akset e unazës së vogël, në rrugën Kavajës, si dhe në disa rrugë të zonës së Xhamllëkut.
Në shumë akse të kryeqytetit ka rrëshqitje të automjeteve duke e bërë të rrezikshme lëvizjen e tyre. E njëjta situatë është edhe në rrugën në zonën e ish-Astirit ku pak shi e ktheu lagjen në të pakalueshme.
Pamje shqetësuese u raportuan edhe nga zona e Pallatit me Shigjeta dhe Unaza e Re. Reshjet e rrëmbyera që ranë pak minuta më parë e kanë fryrë së tepërmi Lanën duke bërë që ajo të dalë nga shtrat.
Situatë shqetësuese u paraqit edhe nga mbikalimi në Sauk, ku rruga u mbushur e gjitha me ujë.
Sasia e madhe e ujit solli dhe vështirësimin e kalimit të mjeteve në këtë rrugë.
Duket se një situatë e tillë është ndikuar edhe për shkak të mbindërtimit dhe ngushtimit të hapësirave në kryeqytet, duke bërë që ujërat të grumbullohen në Lanë.
