“Ballkan i Hapur” show politik', Arifi: Shqipëria të detyrojë Serbinë të njohë Kosovën, Rama po injoron të kaluarën
Pedagogu Dritëro Arifi, samitin e “Ballkanit të Hapur” në Ohër, e ka konsideruar show politik, ndërsa shton se marrëveshjet mund të bëhen pa qenë nevoja e një spektakli.
Në një intervistë për Ora News, ai tha se ajo që e befason Kosovën është injorimi total që Kryeministri Edi Rama, po i bën të kaluarës.
Dritëro Arifi: Ky është një show politik, sesa që do të zbatohet diçka konkrete në të ardhmen e afërt. Janë marrëveshje të nënshkruara dhe mund të bëhen pa e bë dhe këtë spektakël. Nuk ka diçka serioze. Nuk mekanizma për ecjen e kësaj nisme rajonale. Nga këndvështrimi i Kosovës, ne na befason fakti se Rama po injoron totalisht të kaluarën. Askush nuk p o thotë të kthehemi në të kaluarën, por është një parim në histori që na ka mësuar që pa e rregulluar të kaluarën është e vështirë të shikojmë nga e ardhmja.
Ai shton se është e palogjikshme të hysh në një nismë rajonale, ku Serbia nuk e pranon ekzistencën e Kosovës si një vend i barabartë.
Dritëro Arifi: Është e palogjikshme të hysh në një nismë rajonale, ku Serbia nuk e pranon ekzistencën e Kosovës si një vend i barabartë. Ajo që ishte interesante,është që Escobar përfaqësues i SHBA tha se nisma është në rregull, askush nuk po e mohon, por problemi është se duhet të përfshihen të gjithë shtetet si dhe të ketë një trajtim të barabartë. Serbia ka shumë punë për të bërë. Njohja e Kosovës duhet të përfundojë. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm dhe shumë serioz. Askush nuk është kundër asnjë iniciative, por duhet të bëhet me rregulla.
Më tej u shpreh se Shqipëria duhet ta detyrojë Serbinë që njohë Kosovën.
Ai thotë se askush nuk po i kërkon Serbisë që të bëjë diçka të jashtëzakonshme, por thjesht të ketë njohje reciproke.
Dritëro Arifi: Problemi është se Serbia nuk është serioze, nuk i intereson që ta njohë Kosovën, sepse parimisht duhet ta ndryshojë Kushtetutën e saj. Shqipëria nuk e detyron Serbinë që nëse dëshiron Ballkan të Hapur duhet të bësh hapa gjigant, që është njohja reciproke. Askush nuk po i kërkon Serbisë të shkojë në luftë apo të bëjë diçka të jashtëzaknshme, por thjesht një njohje normale. Nuk besoj se Bosnja-Hercegovina do i bashkohet këtij projekti.
Intervistoi Arnold Kariqi, përgatiti Anila Kolgjini.
