Abazoviç: Nuk e shohim njëlloj Open Balkan, nëse vjen Kosova do ketë në tavolinë flamurin e saj

Në një prononcim për mediet, kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviç u shpreh se vendi i tij nuk e sheh me të njëjtin sy nismën e Ballkanit të Hapur.

Ai tha se në takimet me Vjosa Osmanin dhe Albin Kurtin, ata i kanë dhënë përshtypjen që duan të kenë të njëjtin status me shtetet e tjera, duke shtuar se nëse Kosova vjen në tavolinë do ketë flamurin e saj.

Abazoviç: Tani për tani, nuk e shikojmë me të njëjtin sy këtë iniciativë. Në takimet me Vjosa Osmanin dhe Albin Kurtin, mua më kanë dhënë përshtypjen që duan të kenë të njëjtin status me shtetet e tjera. Unë mund të them në emër të Malit të Zi se dalim garant që çdokush do të jetë i trajtuar njësoj. Nëse Mali i Zi vjen me emrin dhe flamurin e tij, ashtu do të vijë çdo shtet tjetër. Nëse kjo nuk ndodh, as Mali i Zi nuk do të jetë pjesë e Ballkanit të Hapur.

Kur do i bashkohesh iniciativës?

Abazoviç: Nuk mund ti përgjigjem. Ne kemi 30 ditë në qeverisje. Kjo e sotmja ishte një hap simbolik. Shpresoj në një të ardhme jo shumë të gjatë do të vendosim.