SHBA e BE mbështesin "Ballkanin e Hapur" si nismë ekonomike, duhet të përfshijë 6 shtetet e Ballkanit Perëndimor
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e shikon si një mundësi të mirë arritjen e një tregu të përbashkët në rajon.
Edhe në Ohër mungoi Kosova ndërsa Bosnja Hercegovina dhe Mali i zi ishin me përfaqësi, por pa të drejtën e firmës. Ndaj në mesazhin e tij, përmes nëj komunikimi online zëvendësndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit Gabriel Escobar, theksoi domosdoshmërinë e bashkimit të gjashtë shteteve.
Escobar: "Nëse ka sukses duhet të jetë e hapur për të gjithë. Duhet të përfshijë të 6 shtetet e Ballkanit Perëndimor në nivel të njëjtë. Shpresoj se do të jetë më e qartë si duhet të funksionojë në ardhmëri"
SHBA do të mbështesë nismën jo vetëm në lëvizjen e lirë, por dhe në luftën ndaj trafiqeve
Escobar: Duhet të ketë një plan për zhvillim institucional. Përparësi është rritja ekonomike por duhet dhe krijim I kushteve për investitorët. Përkrahim liderët e kësaj iniciative të bashkëpunojnë për një treg të përbashkët. Do ju ndihmojmë për luftën kundër pastrimit të parave dhe teknologjitë më të larta për të monitoruar pikat kufitare.
Edhe eurokomisioneri Varhelyi theksoi mundësinë ekonomike që sjell Ballkani i Hapur
Oliver Varhelyi: "Kjo është një arritje e rëndësishme e rajonit. Nuk e bëmë ne, as SHBA. Vetë rajoni. Ata e shpikën dhe të jemi të sinqertë nisëm ta shfrytëzojmë. Të jemi të sinqertë se për herë të parë kur në tryezë kishim në tavolinë një plan të madh për zgjidhjen e sfidave më të mëdha në rajon kuptuam se pa bashkëpunim rajonal plani për investime ekonomike nuk do të arrijë shumë"
Madje sipas tij, një bashkëpunim i tillë do të përshpejtojë mundësinë e integrimit në Bashkimin Evropian
Në cilësinë e vëzhguesit, nga Bosnja Hercegovina ishte Zoran Tageltija, Kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnje e Hercegovinës i cili tha se Sarajeva nuk është pjesë e nismës për shkak të mungesës së një konsensusi politik.
“Bosnja nuk është formalisht anëtare e nismës por shpresoj që të jem i fundit që këtu të jem në cilësinë e vëzhguesit, apo çdokush tjetër që vjen këtu të flet në cilësinë e anëtarit të nismës së “Ballkanit të Hapur”. Për fat të keq në BeH nuk ka konsensus për këtë nismë. Nuk ka përgjigje serioze se për çfarë nuk mbështetet sikur që nuk ka përgjigje negative. Thjesht ekziston një heshtje”, theksoi Zoran Tageltija, Kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnje e Hercegovinës.
Edhe Mali i Zi, me kryeministrin Abazoviç ishte në cilësinë e vëzhguesit.
Nisma “Ballkani i Hapur” është vazhdimësi e “mini-Shengenit” ballkanik, të prezantuar në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.


