Rama: Vendi për Kosovën në tryezën e Ballkanit të Hapur është bosh, askush nuk e zë

Kosova refuzoi ti bashkohet sot nismës së “Ballkanit të Hapur” që mbahet në Ohër të Maqedonisë së Veriut, ( 7 - 8 qershor) ndërkohë në cilësinë e vëzhguesve ishin të pranishëm kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç dhe kryesuesi i Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës.

Në një konferencë për  gazetarët Rama tha se vendi për Kosovën  në tryezën e Ballkanit të Hapur është aty, askush nuk e zë e askush nuk e mbush nëse nuk është Kosova.

“Kosova është sovrane dhe i merr vendimet vetë për veten e vet. Vendi për Kosovën në tryezën e Ballkanit të hapur është aty, askush nuk e zë e askush nuk e mbush dot nëse nuk e zë Kosova. Ftesa është gjithmonë e hapur por respektoj vendimin e autoriteteve të Kosovës për të lënë vendin bosh" tha Rama

Ndërkohë gjatë fjalimit të tij  Rama ka kërkuar që të lihen mënjanë përplasjet e vjetra, madje duke dhënë edhe  shembull historinë e marrëdhënieve SHBA- Japoni apo Izrael Emiratet e Bashkuara.

"SHBA hodhi dy bomba atomike në Japoni dhe një nga aleancat më të forta e miqësitë më të ngushta sot e prej shumë vitesh është SHBA- Japoni, pas dy bombave atomike. Urdhëroni ku është sot Japonia dhe nuk do të ishte sot aty nëse do vazhdonte edhe sot e gjithë ditën të qëndronte me kurriz drejt SHBA duke kërkuar më përpara nga SHBA të ulej në gjunjë për bombën atomike. Të gjitha gjërat kanë radhën e tyre. Ku janë sot Gjermania e Franca. Çfarë po bën Izraeli dhe Emiratet e Bashkuara pas një armiqësie që është e pakrahasueshme për nga thellësia e gjaku I derdhur dhe për nga aktet e çmendurisë me asgjë që kemi parë këtu. Janë bashkë për të përfituar reciprokisht nga shtrëngimi i duarve dhe rruga e së ardhmes”