Rusia sanksionon LGBTQI+, dhjetëfishohen gjobat për promovuesit e komunitetit
Krahas ukrainasve, Rusia ka nisur të luftojë edhe kundër personave të komunitetit LGBTQI+.
Një listë e gjatë gjobash i është propozuar Dumës Shtetërore Ruse për miratim për personat që promovojnë propagandën pro-LGBTQI+.
Sipas projekt-ligjit, parashikohen gjoba deri në 10 milionë rubla, ose deri në 150 mijë euro.
Asambleja legjislative e Sevastopolit ia prezantoi projektligjin Dumës Ruse.
Autorët e projektligjit propozojnë shtimin e një neni të ri në Kodin e Kundërvajtjeve Administrative të Federatës Ruse, e pikërisht dënimin e propagandës për marrëdhënie seksuale jotradicionale përmes shpërndarjes së informacionit dhe promovimit.
Sipas iniciativës, personat që shkelin rregullat do të përballen me gjoba deri në 8000 euro nëse janë individë dhe deri në 150 mijë euro nëse janë kompani.
Gjobat përfshijnë shkeljet e bëra nga persona të ndryshëm nëpër medie, qoftë edhe ato përmes gazetarisë ueb apo televizioneve.
Sipas dispozitës së re, masat do të funksionojnë edhe për shtetasit e huaj, megjithëse në vlera më të vogla.
Masat administrative kundër propagandës LGBTQI+ kanë qenë në fuqi prej 2013-s, por me dispozitën e re, që pritet të miratohet nga Duma e Shtetit, gjobat janë dhjetëfishuar.

