Parandalimi i krizës së urisë/ Turqit negociatorë për korridorin që Ukraina të shesë grurin e saj

Ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu tha të mërkurën se është bërë përparim për një plan që do të rifillonte eksportin e drithërave të Ukrainës nga portet e saj detare. Ai pati një takim me homologun rus Sergey Lavrov me fokus parandalimin e një krize globale të ushqimit.

Më herët, zyratarët e Bashkimit Evropian e kanë akuzuar Rusinë se po e përdorte grurin dhe misrin si armë lufte.

Rusët thuajse kanë bllokuar daljen në det të Ukrainës, dhe furnizimet me drithë nga Ukraina, një eksportues i madh botëror, janë reduktuar në mënyrë drastike. Bllokada ruse e porteve dhe bombardimet e magazinave apo objekteve strategjike e kanë gjunjëzuar aftësinë ukrainase për eksport. Dhe si pasojë e kësaj lufte, një kontinent i tërë si Afrika rrezikon në vende të ndryshme kriza urie.

Ministri i jashtëm turk Cavusoglu u tha gazetarëve ide të ndryshme janë paraqitur për eksportin e drithërave ukrainas në treg dhe së fundmi është në vëmendje edhe plani i OKB-së për një mekanizëm që mund të krijohet midis OKB-së, Ukrainës, Rusisë dhe Turqisë.

Sipas OKB-së, rreth 20 milionë tonë drithë janë aktualisht të bllokuara në Ukrainë. Turqia, e cila ka marrëdhënie të mira me Rusinë dhe Ukrainën, që gjithashtu kontrollon edhe Dardanelet, ka thënë se është e gatshme të luajë një rol më të rëndësishëm që të arrihet një marrëveshje.