Pas 3 ditësh “luftë” neutralizohen vatrat e zjarrit në ishullin e Sazanit dhe Mirditë

Pas disa ditësh luftë, neutralizohen vatrat e zjarrit në ishullin e Sazanit, pas një pune të pandërprerë nga toka dhe ajri, bën me dije Ministria e Mbrojtjes.

Në këtë operacion u angazhuan 122 efektivë të Forcave të Armatosura, 9 mjete, 2 anije gjatë tri ditëve më parë për të shuar flakët.

Ndërkohë, mëngjesin e sotëm nisi edhe ndërhyrja nga ajri, ndërsa forcave në terren iu bashkua edhe avioni Canadair CL 415, i ardhur si mbështetje nga Greqia, në kuadër të Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të Bashkimit Evropian.

Situata në ishullin e Sazanit është nën kontroll,  ndërsa puna vijon për të shmangur totalisht mundësinë e rindezjes së flakëve për shkak edhe të bimësisë.

Ndërkaq 54 efektivë të FA iu bashkuan forcave zjarrfikëse në aksionin për shuarjen e vatrës së zjarrit në njësinë administrative Orosh të Mirditës.

Në operacionin që u finalizua në një kohë të shpejtë u bë e mundur shmangia e përhapjes së flakëve pranë banesave.

“Ministria e Mbrojtjes shpreh mirënjohjen për punën e të gjithë ekipeve të angazhuara dhe u bën thirrje qytetarëve, turistëve që këtë sezon pritet të jenë të shumtë të bëjnë kujdes, pasi kjo  verë parashikohet të jetë e nxehtë dhe rreziku nga zjarret mbetet evident. Falenderime të përzemërta Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të Bashkimit Evropian për mbështetjen, shtetit fqinj Greqisë për përgjigjen në kohë rekord me avionin Canadair.”