Heronjtë e zjarreve të keqpaguar, pa uniforma dhe pa mjete

Pa uniforma, pa mjete dhe të keqpaguar. Kështu i gjen edhe kjo verë punonjësit e shërbimit zjarrfikës në Shqipëri.

"Po ikin nëpër male, edhe Vlora që ka ik dje, edhe të tjerë që kanë ikur nuk japin ushqim as ujë me vete. Veshja të jetë sa më e lehtë, e padjegshmë që nga këpucët e deri te veshja e sipërme në trup. Kjo është veshja që i duhet një zjarrëfikësi nëpër mal e nëpër pyje", tha Bledar Bajrami, Kryetar i Sindikatës së Zjarrfikësve.

Bledar Bajrami Kryetar i Sindikatës së Zjarrfikësve thotë se një punonjësi paguhet 36 mijë lekë, pavarësisht vështirësive dhe rrezikut.

Vitin e shkuar, zjarret që përfshinë vendin nxorën në dukje mungesën e theksuar të personelit dhe logjistikës.

Flakët u luftuan me lopata, por mësime nuk janë nxjerrë. Në mjete nuk është investuar.

Bledar Bajrami: Kemi mungesë të helikopterëve, të ndihmës ajrore.

Mungesa e kushteve, vështirësitë dhe paga e ulët po i detyrojnë zjarrfikësit të lënë punën.

Bledar Bajrami: Janë me valixhe në dorë. Po presin ndonjë reagim nga qeveria, në qoftë se nuk ka dhe këtë fillim vere jam i sigurtë që shumë do të largohen dhe pastaj të dalin ministrat të fikin zjarrin.

Shqipëria ka 1 mijë e 250 zjarrfikës. Në tetor të vitit të kaluar Ministri i Brendshëm kërkoi rritje të pagës për ta por edhe pas 8 muajsh zjarrfikësit mbeten me rroga modeste.