Sarandë: U zunë për ankorimin në port, pronari i varkës së peshkimit thikë pas shpine pronarit të anijes turistike
Anxhela Lushaj
Një konflikt se kush do të ankorojë pranë shëtitores, përfundoi më vrasje në Sarandë! Një peshkatar vrau me thikë pas shpine, pronarin e një varke turistike!
43-vjeçari Kledi Koka kishte një varkë turistike, ndërsa Genti (Jorgo) Golemi zotëron një varkë peshkimi në Sarandë.
Kur u futën në portin e Skafeve u konfliktuan se kush do të ankorojë ngjitur me shëtitoren.
Fillimisht debatuan me tone të larta.
Jorgo Golemi sulmoi me thikë pas shpine Kledi Koka në mes të shëtitores.
43-vjeçari mbeti i plagosur rëndë.
Pasi mori ndihmën e parë mjekësore në Spitalin e Sarandës u nis drejt Kryeqytetit për trajtim të specializuar.
Nuk u rezistoi goditjeve që kishte marrë dhe për pasojë ndërroi jetë.
Peshkatari Jorgo Golemi u arrestua disa minuta pas ngjarjes nga policia e Sarandës.
Nuk bëri rezistencë dhe si provë iu gjet edhe thika me të cilën kreu vrasjen.
Në zonën e njohur si Limani, në Sarandë ankorohen skafet turistike dhe anije të vogla peshkimi.
Të gjithë lakmojnë ta lënë mjetin lundrues ngjitur me shëtitoren.
Peshkatarët e përdorin për tregtimin e peshkut tek kalimtarët në rrugë, ndërsa pronarët e skafeve vendosin tabela reklamuese dhe kërkojnë turistë si klientë të mundshëm.
Debatet mes tyre për vendet e qëndrimit janë të vazhdueshme ndërsa këtë të martë u bënë shkak për krim.
Policia e Sarandës thotë se ende po heton për ngjarjen, ndërsa mbeten për tu parë nëse do të merren masa për të parandaluar që ngjarje të tilla të përsëriten.
