VIDEO/ Vjen avioni nga Greqia për të shuar flakët në Ishullin e Sazanit, helikopterët tanë në remont
Për të katërtën ditë me radhë zjarri në ishullin e Sazanit po vijon të shkrumbojë territorin atje. Tanimë në ndihmë të forcave tokësore të Shqipërisë, ka ardhur sot (7 qershor) edhe një avion nga Greqia. Avioni i shtetit fqinj pritet që të ndihmojë ndjeshëm në shuarjen e zjarrit në ishull, ndërsa ende nuk dihet sa hektarë janë djegur deri në këto momente.
Vlorë - I ardhur nga Greqia avioni tip Canadair CL 415 po ndihmon në shuarjen e flakëve në ishullin e Sazanit.
Teksa dhjetëra hektarë sipërfaqe po digjen për të katërtën ditë me radhë, zjarri ende nuk është vënë nën kontroll.
Ka qenë Mekanizmi i mbrojtjes Civile të Bashkimit europian i cili është aktivizuar për të shpëtuar ishullin me mjet ajror.
Pavarësisht ndërhyrjes nga ajri, puna në terren dhe krijimi i brezit të shpyllëzimit mbeten ende thelbësore për izolimin total të zjarrit në një zonë të ish-repartit ushtarak.
Pamjet nga ishulli shpërndahen vetëm nga Ministria e Mbrojtjes,pasi një urdhër jozyrtar ka ndaluar që të shpërndahen video e foto nga vatrat e zjarrit.
Per dy ditë me radhë, me flakët kanë luftuar efektivët e zjarrfikëses, ushtarakë e vullnetarë, ndërsa ata kanë punuar me mjete primitive.
Deri në këto momente autoritetet shqiptare nuk kanë dhënë asnëj infromacion përdëmin që është shkaktuar në ishull, ndërsa qeveria dhe opozita kanë hedhur akuza ndaj njëra-tjetrës në rrjetet sociale, për menaxhimin e kësaj situate.
Helikopterët tanë në remont, Peleshi kërkon ndihmë Athinës
Zyrtarisht FA ka 4 helikopterë por asnjë nuk ngrihet në ajër për shkak të defekteve. Madje gjatë ditës së djeshme u mësua se ata ndodhen në Poloni për riparim dhe nuk dihet koha se kur mund të përfundojnë këto remonte.
Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi i cili njoftoi përmes një postimi në facebook për ndihmën nga Greqia, tregon se ndodhet në Greqi për vizitë zyrtare dhe pas një "sërë kontaktesh falenderoi autoritetet atje për përgjigjen në kohë ndaj Shqipërisë" thuhet në postimin në facebook.

