Albert Nasto: Plani i qeverisë Rama po shkatërron biznesin e vogël

Kryetari i Shoqatës së Biznesit të Vogël dhe të Mesëm, Albert Nasto, deklaroi në tryezën e organizuar nga Partia Demokratike se qeveria Rama ka një plan ogurzi për të shkatërruar biznesin e vogël.

“Shohim një plan ogurzi nga kjo qeveri. Kjo qeveri ka qenë armikja kryesore e biznesit të vogël dhe të mesëm. Plani i oligarkëve dhe monopoleve po shkatërron gjithçka,” deklaroi Nasto.

Duke akuzuar se biznesi ka marrë dy goditje të forta pas tërmetit dhe pandemisë, pasi qeveria jo vetëm që nuk i ndihmoi, por i shkatërroi më shumë, Nasto tha se këto biznese janë në kufijtë e mbijetesës.

“Rama ka ushtruar raprezelje ndaj biznesit. Qeveria bashkë me oligarkët kanë në plan për të shkatërruar biznesin e vogël dhe të mesëm. Ishin 200 mijë biznese në kohën e Berishës dhe tani janë 108 mijë biznese. Bizneset janë mbyllur sepse qeveria shqiptare nuk i ka përkrahur,” tha Nasto.

Nasto deklaroi se qeveria ka fryrë administratën, nga 88 mijë në mbi 200 mijë, ndërkohë që biznesit të vogël po ia marrin frymën me taksa. Në fund, ai bëri thirrje për protesta, duke shtuar se situata nuk mban më.