“Republikë moniste”, Berisha: Zgjedhja e Presidentit nga PS do të mbahet mend si funerali i demokracisë shqiptare
Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha në fjalën e tij nga foltorja e Parlamentit, është shprehur se me zgjedhjen e Presidentit të ri të vendit është vendosur përfundimisht sistemi i monizmit.
Ai ka akuzuar kryeministrin Rama dhe mazhorancën se kanë uzurpuar edhe institucionin që nuk kishte kontrollin e qeverisë.
Berisha u shpreh se si kurrë më parë tashmë të gjithë zyrtarët janë të një partie.
Sali Berisha: Shqipëria e Edi Ramës, vend i monizmit total, republikë moniste e George Sorosit. E shtuna e katër qershorit 2022 do kujtohet si një nga ditët më të zeza të demokracisë shqiptare, funeral i demokracisë në Shqipëri. Me uzurpimin e Presidencës u rivendos sistemi monist i plotë.
Me emërimin më 4 qershor nga pseudo mazhoranca sot si dikur pushtetet janë në duar të një njeriu e një partie. Sot si kurrë më parë në ekzekutiv, çdo zyrtar është i vetëm një partie. Sot si në të shkuarën të gjitha institucionet e larta si Presidenti, KLSH, Shërbimi Informativ, etj, janë të gjitha të PS.
