U përfol si kandidat, Demiraj uron Begajn: Një ushtarak në krye të vendit na bën të gjithëve krenarë
Ish-ministri teknik i PD-së, Dritan Demiraj ka muruar presidentin e ri të vendit, Bajram Begaj, pas votimit të tij me 78 vota në kuvend.
Demiraj shkruan se zgjedhja e një ushtaraku në krye te shtetit, është një vendim dhe zgjedhje që na bën të gjithëve krenare.
Ai shton se djegia e mandateve, bojkotimi dhe braktisja e çdo procesi institucional dhe detyrimi kushtetues nga ana e opozitës "perëndimore", nuk tregon asgjë tjetër vetëm mungesë lidershipi dhe vizioni politik.
Demiraj: Zgjedhja e një ushtaraku në krye te shtetit, është një vendim dhe zgjedhje që na bën të gjithëve krenarë. Portreti i ushtarakut është simboli i dashurisë për Atdheun, Detyrën dhe Kombin. Presidentin Bajram Begaj e njoh personalisht për më shumë se dy dekada në Forcat e Armatosura dhe përveç të tjerave mbaj mend përkushtimin e tij maksimal ndaj pacienteve ushtarake, kolegeve dhe jo vetëm. Me këtë rast i uroj suksese dhe mbarësi presidentit Begaj në detyrën më të larte si kreu i shtetit Shqiptar dhe si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura.
Nga ana tjetër mendoj se djegia e mandateve, bojkotimi dhe braktisja e çdo procesi institucional dhe detyrimi kushtetues nga ana e opozitës "perëndimore", për të cilën është votuar për të qenë zëri dhe përfaqësuesi i qytetarëve opozitare në institucionin e Parlamentit Shqiptar me justifikime qesharake nuk tregon asgjë tjetër vetëm mungesë lidershipi dhe vizioni politik.
Kujtojmë se Dritan Demiraj ka qenë ndër figurat e përfolura në publik dhe në medie si një kandidat për kreun e shtetit.

