“Faraoni” me makthe. Salah kërkon të riluajë finalen e Parisit
Fillimisht Kievi dhe më pas Parisi. Mohamed Salah ka dy plagë të hapura në trupin e tij por e fundit në Francë është ajo që djeg më shumë.
Liverpool zhvilloi një ndeshje shumë të mirë por me një gabim të vetëm, nuk arriti të kalonte murin Courtouis dhe për të korrigjuar shënjestrën, faraoni do të jepte gjithçka në mënyrë që të kishte edhe një mundësi tjetër.
Sulmuesi egjiptian e mbylli sezonin me 31 gola në të gjitha kompeticionet dhe pati një rol kyç në suksesin e Carabao Cup dhe FA Cup. Në Premier gjithashtu fitoi Këpucën e Artë të sezonit, por pengu i madh i tij do të mbetet finalja e UEFA Champions League kundër Real Madrid në Paris.
“Nuk mund ta shpreh me fjalë se sa shumë dëshironim ta fitonim atë trofe. Në fund nuk ia dolëm mbanë. Nuk mund të gjej fjalët e duhura për të falënderuar tifozët. Ishte një sezon shumë i gjatë por një pjesë e imja shpreson që sezoni të nisë menjëherë për të harruar sa më shpejt fundin. Do të hiqja dorë me kënaqësi nga të gjitha çmimet e fituara deri tani për të riluajtur edhe një herë finalen por futbolli është i tillë dhe kështu funksionon”.
Fjalë që reflektojnë dashurinë e sulmuesit për fanellën e Liverpool dhe japin siguri për tifozët. Edhe pse nuk ka hedhur ende firmën në kontratën që skadon në vitin 2023 Salah është optimist se palët do të afrohen në qëndrime për të gjetur gjuhën e përbashkët.
