Kombëtarja, Vrioni dhe Vesli të bindur për pikë maksimale në Islandë

Giacomo Vrioni dhe Frederic Veseli ishin dy lojtarët e radhës në konferencën e shtypit nga qëndra stërvitore e Kombëtares. Sulmuesi në pronësi të Juventusit mbylli një sezon të suksesshëm në Austri por tashmë mendon vetëm për fanellën kuqezi:

“Janë dy ndeshje shumë të rëndësishme. Do të shkojmë në Islandë për të marrë tre pikë dhe për të synuar vendin e parë. Atmosfera në ekip është shumë e mirë dhe jemi të përqëndruar. Aktivizimin e di trajneri, unë dua të vazhdoj të punoj sa më shumë. Nëse trajneri më jep mundësi të luaj, unë përpiqem të shënoj sa më shumë. Të gjithë repartet janë të forta sepse të gjithë po luajnë në nivele shumë të larta në Europë. Pika më e fortë e kësaj skuadre është grupi. Në këtë kompeticion nuk ka kundërshtarë të lehtë apo të vështirë, duhet të vlerësjmë çdo kundërshtar hap pas hapi”.

Kombëtarja, Vrioni dhe Vesli të bindur për pikë maksimale

Ndërkohë, Veseli shprehu bindjen se skuadra mund t’ia dalë mbanë që të marrë maksimumin ndaj Islandës dhe Izraelit.

“Synimi im është që të vazhdoj të luaj ndeshje pozitive. Është e vështirë të gjesh hapësira ën mbrojtjen tonë sepse kemi elementë të fortë. Këtu jemi të gjithë të aftë të luajmë që nga momenti i parë. Këto dy ditë kemi punuar shumë në aspektin psikologjik dhe kemi gjetur shumë shpejt gjuhën e përbashkët, lojtarë dhe staf. Kemi bërë disa gabime në të shkuarën me Islandën dhe Izraelin dhe duhet të mësojmë prej tyre për të marrë maksimumin. Jemi në rrugën e duhur dhe synojmë vendin e parë”.